Shpërthimi në banesën e Dukës, pamjet filmike lirojnë Arlen Hasanajn…

Ka ndryshuar masa e sigurisë  nga “Arrest me Burg” në “Detyrim paraqitje” për Arlen Hasanajn, 36-vjeçari, i cili u arrestua si autor i dyshuar për vendosjen e lëndës plasëse te oborri i banesës së presidentit të FSHF-së, Armand Duka.

Gjykata e shkallës se parë Durrës ka pranuar kërkesën e avokatit Ilia Ilia për ndryshim të masës së sigurisë nga “Arrest me Burg” në “Detyrim paraqitje”.

Provat e grumbulluara nga pala mbrojtëse u pranuan nga gjykata, e cila ndryshoi masën e sigurisë, teksa seanca u zhvillua me dyer të mbyllura.

Është realizuar akt ekspertimi, që nuk i ka nxjerrë mbetje baruti në duar këtij. Po ashtu, janë bërë këqyrjet e pamjeve filmike. Autori ka rroba te ndryshme dhe referuar kohës se pamjeve filmike, del që nuk ka qenë e mundur fizikisht të ishte në dy vende, që të kishte lëvizur aq shpejt nga vendi ku ka qenë filmuar herën e fundit e deri te shtëpia e Dukës.

“Kërkuam ndryshim të masës së sigurisë për mungesë të provave që implikojnë Hasanajn”, u shpreh avokati Ilia Ilia.

Arlen Hasanaj u arrestua më 25 janar, një ditë pas shpërthimit me lëndë plasëse në banesën e Dukës në bulevardin e Durrësit. Ndaj tij rëndonin akuzat për “Shkatërrim të pronës me eksploziv” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.