“Shkrihen” 201 zyra të gjendjes civile – Banorët e zonave të thella, disa orë rrugë për një certifikatë!…

Duke nisur nga muaji maj, qytetarëve në shumë rrethe të vendit, do t’u duhet të udhëtojnë deri në disa orë për t’u pajisur me çertifikatë personale ose familjare. Kjo pasi Ministria e Brendshme ka vendosur të shkrijë 201 zyra të gjendjes civile, duke lënë në funksion vetëm 150 të tilla në të gjithë vendin.

Në hartën e krijuar nga TV Scan bazuar në të dhënat zyrtare, evidentohet qartë se bashki që kanë në administrim edhe fshatra me terren të thyer dhe malor, si: Tropoja, Mati, Skrapari etj, do të kenë vetëm një zyrë për të ofruar shërbime të tilla. Drejtues të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, prezantuan në mbledhjen e fundit të Këshillit Konsultativ, Qeveri Qendrore – Vetëqeverisje Vendore, draftin: “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 1299, datë 16.12.2009 “Për miratimin e strukturës, të Organikës dhe të Numrit të Punonjësve të Shërbimit të Gjendjes Civile në Bashki/Njësi Bashkiake/Komuna dhe në degët e Qarqeve, i ndryshuar”.

Reduktimit të zyrave të gjendjes civile i parapriu me deklaratën e tij në kuvend edhe Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, i cili u shpreh se mbi 80% e shërbimeve të Gjendjes Civile do të jenë online dhe se nuk do të ketë më pritje nëpër sportele.

I ftuar në emisionin “Argument” të gazetares Dafina Hysa në TV Scan, Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive Agron Haxhimali theksoi se kishte ardhur momenti për riorganizimin e shërbimit të gjendjes civile, por duhen marrë në konsideratë mundësitë e pensionistëve dhe grupeve të tjera vulnerabël, që nuk kanë mundësi të përdorimit të sistemit digjital.

“Shkrirja” e zyrave pritet të jetë problem edhe për banorët e zonave malore ku mungon interneti dhe mjetet për të printuar certifikatat. Në një situatë të tillë, sipas Haxhimalit u bie barra bashkive që të gjejnë mënyrën për të ofruar shërbimin qytetarëve sa më afër.

Dafina Hysa / SCAN