Shkodra zgjedh 11 deputetët e rinj, Tom Doshi më i votuari por la mandatin…

Në qarkun e Shkodër ka përfunduar numërimi i votave dhe për kandidatët. Në këtë qark lista paraprake është përmbysur, por askush nuk ka mundur që të thyejë herësin. Partia Socialiste ka arritur që të marrë 3 mandate, Edona Bilali, Paulin Stërkaj dhe Benet Beci, por jashtë Kuvendit të ri ka mbetur Ilir Beqaj, i cili ishte dhe koordinator për këtë qark.

Ndërkohë nga Partia Demokratike shumë afër thyerjes së herësit ishte Bardh Spahia, por tashmë që janë numëruar të gjitha votat ai e sheh veten jashtë Kuvendit të ri. Deputet e rinj të PD në këtë qark do të jenë: Helidon Bushati, Emilja Koliqi, Ramadan Likaj, Gredi Bardeli dhe Zef Hila.

Tom Doshi rezulton që të jetë kandidati më i votuar në të gjithë qarkun, por duke qenë se ka lënë mandatin nga Partia Socialdemokrate deputetë do të jenë Gledis Çeliku dhe Meri Markiçi. Po ashtu në Kuvendin e ardhshëm do të jetë dhe Agron Çela nga LSI.

Partia Socialiste: Edona Bilali 2711 vota, Paulin Sterkaj 7335 vota dhe Benet Beci 6131 vota.

Partia Demokratike: Helidon Bushati 6743 vota, Emilja Koliqi 1364 vota, Ramadan Likaj 4778 vota, Greta Bardeli 2753 vota dhe Zef Hila 5975 vota.

Partia Socialdemokratike: Tom Doshi 7886 vota, por kreu i PSD ka dorëzuar mandatin dhe tashmë në Kuvendin e Shqipërisë do të jenë Gledis Çeliku 949 vota dhe Meri Markiçi 749 vota.

Lëvizja Socialiste për Integrim: Agron Çela 2656 vota.