
Nga Uarda Albunesa
Shkodër — forca dhe dobësia ime,
Çuditesh pse prej vitesh jam kundërshtare e gjithçkaje që zgjidhet, imponohet apo normalizohet mbi padrejtësi. Çuditesh pse nuk rri rehat, si shumica e njerëzve “të zakonshëm”.
Por ndryshimi i zemrave kërkon guxim. Dhe guximi nuk është kryeneçësi, as ngurtësi. Është shenjë jete.
“Njeriu i drejtë është ai që ndihet gjithmonë pak fajtor për fatkeqësitë e të tjerëve”, ka thënë Gibran.
Sot shoh shumë prej nesh të mbyllur në tavolina apo grupe të ngushta, duke folur nën zë për mënyrën se si po tkurret qyteti ynë si kryeqendër e veriut: nga ana ekonomike, sociale, administrative, akademike, strategjike, kulturore e gjyqesore;
Mirë të na bëhet.
Sepse ndër vite kemi diskriminuar njerëzit e aftë të këtij qyteti. I kemi izoluar, i kemi tallur, ndërsa ata bënin beteja ligjore si qytetarë të emancipuar. Kemi heshtur, madje kemi qeshur, kur pushteti i poshtëronte apo ua mohonte të drejtat;
Kemi heshtur kur në administratë janë ngritur figura dordolecësh, pa meritë dhe pa përgjegjësi, dhe sot çuditemi pse shërbimet publike janë të mjerueshme;
Kemi adhuruar individë politikë si shenjtorë, pa asnjë vepër publike, vetëm sepse na është dashur të kryejmë një punë personale. Kemi shitur qytetarinë për favore;
Rrimë në radhë si turmë e nënshtruar për të marrë informacione që na takojnë me të drejtë dhe falënderojmë ata që paguhen nga taksat tona për të bërë detyrën e tyre;
Kur arsimi mbahej peng nga sekserë akademikë, kemi heshtur — sepse nuk shohim përtej interesit tonë të ngushtë;
Ne nuk e duam njëri-tjetrin.
Shesim hipokrizi si mirësi dhe e quajmë qytetari.
Godasim pas shpine njerëzit e ndershëm vetëm për të shpëtuar veten.
Dhe me dritëshkurtësi, sot ankohemi se na kanë pushtuar “jabanxhijtë”.
Mirë na i bëjnë.
Sepse vajzat dhe djemtë tanë i luftojmë pa mëshirë dhe vetëm pasi i rrëzojmë, na bjen shpirti rehat.
Sa pak e paskemi dashur këtë qytet.
Sa pak.
Më vjen për të vjellë nga heshtja që maskohet si maturi, nga hipokrizia që shitet si moral, nga frika që quhet pragmatizëm, nga servilizmi që paraqitet si zgjuarsi.
Dyert e mëdha po bien Shkodër; janë ngritur gardhe, dhe nëse nuk reflektojmë tani, nuk na pret më rënia — na pret ferri i vetëpërjashtimit.
Sa pak të paskemi dashur, Shkodër.
Sa pak!




