Shkodër/ Të hënen rinis transporti urban në qytet…

Të hënen e kësaj jave që vjen më 13 korrik do të hapet zyrtarisht transporti publik në qytetin e Shkodrës ku bën pjesë edhe transporti urban.

Lëvizja me autobusët e qytetit pas një periudhe prej më shumë se 4 muajsh e mbyllur për shkak të COVID-19 tashmë do të nisë të hënen e kësaj jave që vjen.

Lajmi është bërë zyrtar pas shkresave të ndërsjellta mes përfaqësuesve të transportit publik dhe bashkisë Shkodër.

Fillimisht bashkia ka marrë një kërkesë ku i është kërkuar që të shihen mundësitë për të lejuar hapjen e transportit publik në qytetin e Shkodrës.

Në 8 korrik bashkia i ka kthyer përgjigje përmes një shkrese duke i thënë operatorëve të transportit publik në Shkodër se:

“Sipas protokollit që duhet zbatuar çdo përdorues i transportit publik është i detyruar të përdorë maska gjatë udhëtimit me autobus si dhe këshillohen të mbajnë një distancë sigurie.

Në stacionet e qëndrimit udhëtarët janë të detyruar të përdorin maska gjatë pritjes së autobusit ndërsa personeli i transportit publik do të jenë të detyruar që të përdorin maska.

Për të maksimalizuar sigurinë ndaj COVID-19 edhe punonjësit e shërbimit të operatorëve si kontrollor, dispeçer si dhe stafe të tjera plotësuese do të jenë të pajisur me maskë mbrojtëse në momentin që janë prezent në mjet.

Mjetet e operimit do të dezinfektohen në mënyrë periodike si dhe mjetet e operimit për personelin e shërbimit do të pajisen me dizinfektantë me bazë alkooli.

Gjatë udhëtimit duhet të bëhet e mundur ajrimi i mjediseve të brendshme të mjetit përgjatë gjithë kohës së udhëtimit nepërmjet sistemeve të ajrimit të vendosura në pjesën e sipërme të mjetit ose duke mbajtur hapur pjesët strukturore të dritareve që e kanë këtë mundësi në rastet kur mjeti është i pajisur me dritare ose sistem ajrimi.

Në çdo mjet do të vendosen postera për respektimin e rregullave të higjenës në vende të dukshme për udhëtarët.

Çdo udhëtar dhe punonjës i transportit publik mban përgjegjësi personale për mosrespektimin e këtij protokolli si dhe janë objekt kontrolli nga organet kompetente”.

Ndërkohë nuk ka vonuar përgjigja e operatorëve të transportit publik në adresë të bashkisë Shkodër duke i thënë se do të merren këto masa dhe se të hënen më 13 korrik do të jetë e mundur lëvizja e autobusëve të qytetit.

“Duke u bazuar në njoftimin e datës 08/07/2020 për rifillimin e transportit urban me protokollin e ndryshuar, njoftim i papritur për ne i cili na zuri të papërgatitur për rifillimin e menjëhershëm të punës po marrim masat për përgatitjen e mjeteve dhe stafit të punonjësve për rifillimin e punës ditën e hëne me datë 13/07/2020”.

Tashmë qytetarët mund të lëvizin të hënen e mbrapa me autobusët e qytetit por duke përdorur maskat dhe duke ruajtur distancimin fizik sepse në të kundërt mund të gjobiten.