
Një automjet u përfshi në një ngjarje të rëndë mbrëmjen e sotme në aksin Shkodër–Hani i Hotit, ku u qëllua me armë zjarri gjatë lëvizjes.
Pranë rrethrrotullimit të Koplikut, drejtuesi i makinës, duke tentuar t’i shpëtonte plumbave, ka humbur kontrollin dhe është përplasur në bordurën e një karburanti, duke e braktisur më pas automjetin.
Në vendngjarje mbërritën shërbimet e policisë, të cilat po kryejnë veprimet hetimore për të sqaruar rrethanat e incidentit dhe për të identifikuar autorët.
Mjeti paraqet dëmtime të shumta, si në pjesën anësore, ashtu edhe në goma, ndërsa në pjesën e pasme – te bagazhi – janë konstatuar pesë shenja plumbash.
Motivet e sulmit mbeten ende të panjohura dhe policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.




