
Policia e Shkodrës ka identifikuar dhe vënë në pranga autorët e ngjarjes së mbrëmshme, ku u qëllua me armë zjarri dhe u dhunua shtetasi Edison Tirana.
Në pranga përfunduan dy vëllezërit Gjovalin dhe Pëllumb Gjekaj, banorë të Pjetroshanit në Malësinë e Madhe, ndërsa nipi i tyre është shpallur në kërkim.
Sipas hetimeve, të dyshuarit kanë qëlluar me pistoletë drejt automjetit të Edison Tiranës, 42 vjeç, banues në Trush të njësisë Bërdicë, dhe më pas e kanë goditur fizikisht.
Ngjarja ka nisur pas një konflikti në pikën kufitare të Hanit të Hotit, ku palët janë përfshirë në debate për shkak të parakalimeve të përsëritura gjatë rrugës.




