Shkodër: arrestime, procedime dhe operacione policore në 24 orët e fundit…

Shpërndaje

Shkodër – Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër ka bërë me dije një sërë veprimesh procedurale gjatë 24 orëve të fundit, që përfshijnë arrestime, shpallje në kërkim dhe procedime në gjendje të lirë, në fusha të ndryshme të kriminalitetit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare ndaluan shtetasin Sh. S., 32 vjeç, banues në Tiranë dhe shpallën në kërkim B. B., 41 vjeç, banues në Shkodër. Ky i fundit dyshohet se i ka dhënë 1500 euro Sh. S.-së, i cili i premtoi se do të ndërhynte te institucionet për legalizimin e një prone private në emër të nënës së tij, në lagjen “10 Korriku”. Vijon puna për kapjen e B. B.-së.

Ndërkohë, lidhur me aksidentin e ndodhur në aksin “Shkodër–Velipojë”, policia arrestoi për “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” J. H., 20 vjeç, i cili humbi kontrollin e automjetit dhe doli nga rruga, duke shkaktuar dëmtime të lehta për tre pasagjerët.

Në një tjetër rast, specialistët e Hetimit të Narkotikëve proceduan penalisht në gjendje të lirë një 17-vjeçar, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi e vogël kanabisi.

Gjithashtu, për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, nisi procedimi ndaj E. H., 27 vjeçe, nga Shkodra, e cila dyshohet se i ka hapur një llogari false në rrjetet sociale një 28-vjeçareje, duke postuar të dhënat e saj personale.

Policia e Shkodrës procedoi gjithashtu E. H., 42 vjeç, nga fshati Polvar, për “Trafikim të mjeteve motorike”, pasi automjeti që posedonte rezultoi i vjedhur në Britaninë e Madhe. Mjeti u sekuestrua si provë materiale.

Në fushën e ndërtimit, procedim penal iu referua Prokurorisë ndaj F. B., i cili u konstatua duke kryer punime pa leje në territorin e Shkodrës.

Ndërsa në fshatin Delaj, Malësi e Madhe, nga zjarri që dyshohet se ra aksidentalisht në automjetin e shtetases R. Sh., 52 vjeçe, u shkatërrua mjeti dhe u dogj një sipërfaqe toke me bimësi.

Policia bën me dije se materialet procedurale për të gjitha rastet janë referuar pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Shpërndaje