Shkencëtari pranon se “imazhi i teleskopit hapësinor” ishte në fakt fotoja e një fete sallami…

Një shkencëtar i njohur francez postoi në profilin e tij në rrjetin social një foto, duke thënë se ishte pamje e kapur nga teleskopi James Web mbi yllin ‘Proxima Centauri’, më i afërti me sistemin tonë diellor me distancë afro 4.2 vite dritë larg.

E teksa shumë njerëz e morën për të mirëqenë foton, e vërteta ishte krejt larg. Imazhi në fakt ishte një foto e bërë nga afër e një fete sallami.

Postimi mori vëmendje të madhe dhe të shumtë ishin ata që e kritikuan shkencëtarin. Ky i fundit më tutje, shkroi duke sqaruar se fotoja i përket një fete sallami dhe sigurisht ishte postuar si një shaka.

“Duke parë disa komente, ndiej nevojën për të sqaruar se postimi i yllit Proxima Centauri, ishte një formë humori. Le të mësojmë të jemi të kujdeshëm përkundrejt autoriteteve, njëlloj siç jemi dhe aq spontanë përpara elokuencës së disa imazheve”-shkroi më tutje Etienne Klein.