
Ryanair, operatori ajror me kosto të ulët ka konfirmuar se ka shtuar dhe 20 destinacione të reja që do të nisen nga Shqipëria, duke e çuar në total numrin e destinacioneve në 23.
Destinacionet e reja janë kryesisht në Itali e Gjermani si dhe në vendet e tjera të Europës.
20 destinacionet e reja janë: Algjero, Baden-Baden, Birmingam, Bratisllavë, Dublin, Ajndhoven, Gdansk, Xhenova, Liverpul, Maltë, Memingen, Milano, Napoli, Parma, Peskara, Poznan, Trieste, Torino, Verona dhe Vroclav.
Ryanair është operatori i dytë më i madh në vend. Sipas të dhënave nga Tirana International Airport, në nëntor 2025, ai zinte 24% të tregut të fluturimeve ajrore, sipas numrit të pasagjerëve.
Kompania më e madhe mbetet Wizz Air, me 59% të tregut po në nëntor.
Kthimi i vendit në destinacion turistik ka nxitur tregun e industrisë ajrore, ku operatorët me kosto të ulët po shtojnë vazhdimisht numrin e destinacioneve, me çmime të ulëta. Aeroporti i Rinasit është bërë ndërkohë një qendër rajonale, duke tërhequr udhëtarë nga vendet fqinjë, kryesisht Mali i Zi dhe Kosova.
Sipas të dhënave nga TIA, për periudhën janar- nëntor 2025 kanë udhëtuar nga dhe drejt Rinasit 10.8 milionë pasagjerë, ndërkohë që për gjithë vitin 2024 ishin përpunuar gjithsej 10.7 milionë pasagjerë.



