Rriten çmimet e ushqimeve, Autoriteti i Konkurrencës nis monitorimin…

Çmimet për prodhime të caktuara si spinaqi, brokoli, lule lakra apo karota shtrenjtohen nga bujku tek konsumatori në Tiranë me 100-150 lekë. Shtrenjtim është vërejtur edhe tek produktet e tjera si qepë, patate, sallatë, domate apo kastravec, ku çmimet në Tiranë janë disa here më të larta se ato me të cilat grumbulluesi i merr tek bujku.

Nën monitorimin e Autoritetit të Konkurrencës do të jetë edhe tregu AGRO-ushqimor i Tiranës, për të parë nëse tregtarët aty rrisin çmimet e produkteve që kanë marrë nga rrethet. Nëse konstatohen shkelje, konkurrenca do të nisë hetim për abuzimet që kryhen.

Në muajin janar sipas të dhënave të INSTAT çmimet e zarzavateve dhe patateve u rritën me 17%, vajrat dhe yndyrat me 9,1 %, ndjekur nga frutat që u shtrenjtuan me 8,5 %, për të kaluar tek buka dhe drithërat me çmim 6% më të lartë. Shtrenjtim po ashtu është regjistruar edhe tek sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsira me 5,5 %, mish me 3,1 % dhe qumështi, djathi dhe vezët me rritje prej 3%.

Në bazë të treguesve vetëm për produktet e shportës inflacioni në raport me janarin e 2021, rezulton të jetë 7.4%, ndërsa në tërësi për të gjitha produktet përfshirë, ujin, energjinë, transportin etj, inflacioni në janar rezultoi 3.7%, aq sa ishte edhe në dhjetor 2021.