Rreziku nga përmbytjet në Shkodër, Angoni: Kemi ndërhyrë në argjinaturat në Dajç dhe në Harkun e Bërdicës

Ditët e fundit vendi është përfshirë nga reshje intensive të cilat kanë krijuar edhe probleme në disa zona. Por Shkodra kujtojmë se është një nga zonat ku gjatë reshjeve vjeshtë – dimër 2020-2021 pësoi mjaft dëme ku u përmbytën mbi 4 mije hektarë tokë bujqësore, ku u desh dhe evakuimi i banorëve.

Në lidhje me masat që janë marrë nga institucionet e Shkodrës për të përballuar përmbytjet gjatë dimrit, e ftuar përmes një lidhje “Skype” në MCN ishte prefektja e Qarkut Shkodër, Majlinda Angoni.

Angoni u shpreh se një plan masash është hartuar nga bashkia Shkodër dhe institucionet përkatëse për të parandaluar përmbytjet e tokave dhe shtëpive.

Në kuadër të masave, janë hapur disa kanale dhe është ndërhyra në argjinaturën në Dajç, Harkun e Bërdicës. Aktualisht situata nga reshjet e fundit është nën kontroll, ndërsa reshje bore ka pasur në Bogë dhe Qafë Thore.

Intervista e plotë:

Znj Angoni çfarë masash janë marrë për të evituar këtë problematikë? A është ndërhyrë në argjinatura?

Si zakonisht institucioni i prefektit të Shkodrës harton një plan masash dhe masat që duhet të merren në bashkëpunim me institucionet përkatëse. Në këtë kuadër janë marrë një sërë masash janë hapur kanalet 1/2/3/4. Kryesore është ngrënia e tokës në Harkun e Bërdicës ku u detyruam të ndërhyjmë në mënyrë emergjente vitin e kaluar, ndërkohë në këtë zonë është bërë mbi 95 mln investime që do të lehtësojë përmbytjet në këtë zonë. Është bërë një ndërhyrje në argjinaturën në Dajç. Po merret masa dhe për disa bimë dhe kafshë parazitë.

Situata është nën kontroll. Kemi pasur reshje bore në Bogë dhe Qafë Thore.

Cilat pika konsiderohen si më të vështira për t’u ndërhyrë dhe që kërkojnë investime të mëdha?

Investimi më i mirë dhe më prezent është te Harku i Bërdicës, por dua të theksoj se jemi para një plani për pastrimin e territorit përsa i përket lehtësimit të rrjedhjeve. Në këtë kuadër janë çdo bashki që ka përcaktuar datat dhe forcat që i nevojiten. Nevojat që do të ketë çdo bashki qoftë nga forcat ushtarake, qoftë mjete. Gjithçka është në koordinim, jemi në rrugë të mbarë për tu paraprirë kësaj situate.

Një ditë më parë ishte në Shkodër edhe ministrja e bujqësisë Frida Krifca. Përveç konstatimeve, a do të ketë ndërhyrje në mënyrë që të mos ketë as dëme në jetë njerëzish, gjënë e gjallë e po ashtu dhe në kulturat bujqësore

Çdo plan është i detajuar në hollësi, jo vetëm për menaxhimin e njerëzve, por edhe kafshëve. Është gjithçka e mirë koordinuar.

Ndalemi pak edhe tek aksioni kombëtar i pastrimit. Si e vlerësoni këtë nismë dhe përgjegjësinë që ju ngarkohet pushteteve vendore.

Është një nismë që është e vonuar dhe duhet çdo ndërgjegje qytetare për të rritur ndërgjegjësimin e çdo personi. Ky aksion pastrimi është përqendruar në zonat informale të mbetjeve ku ka dhe mbetje 20 vjeçare. Kemi filluar koordinimin me shkollat, drejtoritë përkatëse dhe në bazë të datave të gjithë po veprojnë sipas grafikut të hartuar me bashkinë dhe institucionet përkatëse.