Riatdhesimet/ Nga Stambolli, Roma e Milano, publikohen datat dhe oraret e fluturimeve që do të kryhen këtë javë

Në kuadër të nisjes së procesit të riatdhesimit për shtetasit shqiptarë që kanë mbetur jashtë vendit dhe që duan të kthehen në Shqipëri Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka publikuar kalendarin e udhëtimeve që do të kryhen këtë javë.

Sipas Ballukut në datat 18 dhe 19 prill do të jenë udhëtimet e para. Sipas njoftimit të Ministrisë së Integrimit Europian , në datën 18 do të kryhet udhëtimi Stamboll-Tiranë, më pas Tiranë-Romë dhe Romë-Tiranë. Ndërsa në datën 19, sipas njoftimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, do të kryhen fluturimet Tiranë-Milano dhe Milano-Tiranë.

Në ditët në vijim, janë parashikuar fluturime riatdhesimi edhe nga Bari, Frankfurit, Parisi dhe Londra. Shtetasit të cilët dëshirojnë të kthehen, ashtu sikundër është bërë e ditur gjatë këtyre ditëve, duhet që më parë të bëjnë rezervimin e hotelit, të vendosura në dispozicion, ku do të karantinohen për 14 ditë pas mbërritjes në Shqipëri, së bashku me pagesën, dhe më pas të bëjnë rezervimin e biletës.

E gjithë kjo procedurë mund të bëhet përmes aksesimit të faqes së kompanisë Air Albania, ku duhet të ndjekin procedurat e parashikuara.