Raporti vjetor i Prokurorisë së Posaçme, nis raportimi i kreut të SPAK, para KLP…

Shpërndaje

Kreu i SPAK, Klodian Braho, po raporton këtë të hënë para Këshillit të Lartë të Prokurorisë mbi aktivitetin e institucionit për vitin 2025, raport që është dorëzuar më herët edhe në Kuvendi i Shqipërisë.

Sipas të dhënave, gjatë vitit 2025 janë hetuar gjithsej 871 procedime penale. Nga këto, 294 janë çështje të reja, 39 të bashkuara dhe 577 të mbartura nga viti 2024. Krahasuar me një vit më parë, volumi i hetimeve është rritur me 4.9%, ndërsa numri i çështjeve të përfunduara mbetet i njëjtë me vitin 2024, me 216 hetime të mbyllura.

Në raport theksohet shqetësimi për çdo nismë ligjore apo institucionale që mund të cenojë pavarësinë dhe mjetet proceduriale të SPAK.

Sa i përket luftës kundër krimit të organizuar, në vitin 2025 është shënuar rënie e çështjeve të reja, nga 101 në vitin 2024 në 74 raste. Megjithatë, hetimet e përfunduara kanë pësuar një rritje të lehtë, duke arritur në 60 çështje, ose rreth 3.4% më shumë se një vit më parë. Sipas raportit, krimet në kuadër të grupeve të strukturuara kriminale mbeten më problematiket, ndërsa më pak të pranishme janë rastet e trafikut të qenieve njerëzore, mashtrimit kompjuterik dhe terrorizmit.

Një tjetër element i rëndësishëm është rritja e ndjeshme e çështjeve të referuara nga Policia e Shtetit, të cilat përbëjnë 70% të totalit në vitin 2025, nga 30% që ishin një vit më parë.

Kujtojmë se Klodian Braho u emërua në krye të SPAK më 11 dhjetor 2025, duke pasuar Altin Dumani.

Seanca dëgjimore do të zhvillohet më 27 prill 2026, në orën 10:00, në kuadër të detyrimit ligjor për raportimin vjetor të aktivitetit të Prokurorisë së Posaçme.

Shpërndaje