Rama kritik ndaj Bardh Spahisë: Situata e pastërtisë në Shkodër është skandaloze…

Kryeministri Edi Rama është shprehur kritik ndaj Bashkisë së Shkodrës, duke thënë se situata e pastërtisë në këtë qytet është katastrofë.

Në fjalën e tij në Forumin e Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve dhe Ekonomisë Qarkulluese, kreu i qeverisë tha se mbështetja e qeverisë gjermane ka qenë e madhe në fushën e menaxhimit të mbetjeve, ndërsa ka shtuar se është në dorën tonë të bëjmë maksimumin.

“Në Bashkinë e Shkodrës shohim se ka një përpjekje dhe ka një ndryshim në qasje, pavarësisht se situata e pastërtisë në Shkodër është ku thërret qameti. Përtej çdo gjëje tjetër, e vërteta është e vërtetë dhe ajo duhet thënë.

Mbështetja e qeverisë gjermane ka qenë që në krye të herës në këtë fushë. Projektet e qeverisë gjermane janë masive, që nga ato më të mëdha deri tek ato më të vogla, në këtë fushë. Vullneti dhe dëshira për të vazhduar mbështetjen nga ana e Gjermanisë është e madhe; na takon ne që të bëjmë maksimumin”- theksoi Rama.