Publikimi i dosjes së Martin Camajt, Autoriteti i Dosjeve nis hetimin administrativ

0
52

Autoriteti për Dosjet e Sigurimit të Shtetit njofton nisjen e një hetimi administrativ lidhur me dosjen e shkrimtarit Martin Camaj.

Hetimi ka të bëjë me verifikimin e praktikës së dosjes fizike dhe asaj digjitale të Martin Camajt nga AIDSSH.

Sipas kreut të këtij institucioni, Gentiana Sula, grupi i punës do të verifikojë zbatimin e rregulloreve përkatëse gjatë administrimit të materialit arkivor.

Reagimi i Autoritetit të Dosjeve vjen pas debatit të krijuar mes studiuesish pas publikimit të një hulumtimi të Auron Tares, sipas të cilit figura e shquar e Martin Camajt ishte agjent i UBD-së jugosllave.

 “Nisur nga dinamikat e ditëve të fundit dhe publikimeve në shtyp mbi dosjen fashikull nr. 456 të Martin Camajt, që kanë të bëjnë me trajtimin e saj nga AIDSSH, sot, më datë 10.07.2020 firmosa urdhrin nr. 31 të nisjes së hetimit administrativ për verifikimin e praktikës së dosjes fizike dhe asaj digjitale të Martin Camajt nga AIDSSH.

Grupi i punës i ngritur për këtë qëllim do të verifikojë zbatimin e rregulloreve përkatëse gjatë administrimit të materialit arkivor në ngarkim të tij. Ndërkohë AIDSSH do te vazhdoje te zbatoje me rigorozitet ligjin, duke garantuar qasjen ne dokumentet e Sigurimit, edhe për figurat historike.

Materiali përmbledhës i hartuar pas kryerjes së veprimeve për përmbushjen e objektit të urdhrit në fjalë do t’i bëhet i ditur Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, për ndjekje sipas legjislacionit në fuqi”, deklaron Sula.

Në studim, Tare ka marrë si referencë shkollimin e Camajt, punën në Radio Beogradi dhe përfshirjen në Komitetin e Prizrenit, e cila sipas tij ishte një organizatë, përmes së cilës UDB kishte ndërtuar një rrjet spiunazhi në Shqipëri dhe diasporë.

Po kështu edhe për Ernest Koliqin, Tare shkruante se ka qenë një agjent i CIA-s dhe ka mbështetur ardhjen e Camajt në Romë.

Gjithashtu ai shton, se Koliqi ka ndihmuar Camajn, për të kapërcyer dyshimet se ishte i dërguar i komunistëve.

PËRGJIGJU