Protestuan për largimin e Konsullit grek, gjobiten me 50 milionë lekë Djemtë e Labërisë

Tubimi i sotëm në sheshin “Çerçiz Topulli” në Gjirokastër, organizuar nga disa shoqata patriotike që kërkonin shpalljen të padëshirueshëm të konsullit grek të Gjirokastrës, Lambros Kakkisis u pasua me një gjobë të majme karshi organizatorëve.

Burimet për Ora News nga Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor në Gjirokastër, konfirmojnë se nisur nga mos respektimi i distancës i konstatuar me prova nga inspektorët e ISHSH në tubimin e sotëm proteste, ISHSH para pak minutash ka gjobitur me 50 milionë lekë organizatorët e këtij eventi protestues.

Fleta e gjobës i’u është dorëzuar tre prej organizatorëve të këtij tubimi fill pasi kanë deklaruar përfundimin e protestës.

Kreu i ISHSH Gjirokastër, Edi Sinojmeri shpjegon se grumbullimi i njerëzve dhe mosrespektimi i distancës gjatë protestës së sotme, mungesa e masave mbrojtëse ndaj COVID-19, bie ndesh me aktin normativ të qeverisë shqiptare dhe si i tillë ndëshkohet me gjobë.

“Nuk do te ketë toleranca të tilla që cënojne sigurinë e njerëzve” – shprehet Sinojmeri.