Protestë në Tiranë kundër qëndrimit të Ramës për Izraelin…

Shpërndaje

Qindra qytetarë u grumbulluan sot në sheshin përballë Kuvendit të Shqipërisë për të shprehur kundërshtimin ndaj qëndrimit dhe deklaratave të kryeministrit Edi Rama gjatë vizitës së tij në Izrael. Me pankarta ku lexohej “Jo në emrin tim”, protestuesit synonin të marshonin drejt Kryeministrisë dhe më pas në sheshin “Skënderbej”, por marshimi nuk u lejua nga forcat e rendit.

Organizatorët bënë me dije se Drejtoria e Policisë, pas njoftimit zyrtar të marrë, kishte komunikuar se marshimi nuk mund të zhvillohej. Florian Arapi, në përmbyllje të protestës, iu drejtua institucioneve të ligj-zbatimit me thirrjen për zbatim të ligjit dhe jo të urdhrave politikë.

Gjatë fjalës së tij, Arapi deklaroi se protestat në mbështetje të Palestinës do të vijojnë, duke theksuar se organizatorët nuk synojnë shkeljen e ligjit, por kërkojnë që Forcat e Rendit të veprojnë në përputhje me të.

Protestuesit akuzuan kryeministrin Rama si bashkëpërgjegjës në atë që e cilësuan si gjenocid ndaj popullit palestinez, duke e konsideruar atë normalizues të dhunës dhe mbështetës të figurave të akuzuara për krime lufte. Tubimi u shoqërua me thirrje kundër kryeministrit dhe slogane proteste si “Turp”.

Shpërndaje