
Në operacionin ndërkombëtar “The Wanted”, pritet që të finalizohet ekstradimi nga Dubai drejt Shqipërisë i një prej emrave më të përfolur të botës së krimit në vend.
Bëhet fjalë për Durim Bamin, 47 vjeç, banues në Nikël të Krujës, i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe i arrestuar në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Sipas burimeve zyrtare, ai pritet të mbërrijë në Shqipëri nën masa të rrepta sigurie, në kuadër të bashkëpunimit mes autoriteteve shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Ndaj Bamit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), më 15 maj 2024, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për disa vepra penale të rënda, përfshirë, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike” si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”.
Emri i Durim Bamit është përmendur ndër vite në disa çështje të bujshme kriminale dhe hetime të profilit të lartë.
Ai ka qenë i akuzuar më herët për përfshirje në ngjarje të rënda kriminale.
Bami ka mohuar akuzat në deklarimet e tij të mëparshme publike.
Operacioni “The Wanted” është pjesë e strategjisë së policisë së shtetit për lokalizimin dhe riatdhesimin e personave në kërkim ndërkombëtar, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese partnere.
Pas mbërritjes së tij në Shqipëri, pritet që policia të japë një njoftim të detajuar lidhur me procedurat e mëtejshme dhe ecurinë e hetimeve.




