Portugalia njeh shtetin e Palestinës, bashkohet me Britaninë, Kanadanë dhe Australinë…

Shpërndaje

Portugalia njeh zyrtarisht shtetin e Palestinës, duke iu bashkuar vendimit të Kanadasë, Britanisë së Madhe dhe Australisë. Ky vendim u bë i ditur nga ministri i Jashtëm Paulo Rangel në Nju Jork, në përfaqësinë e përhershme të Portugalisë në Kombet e Bashkuara.

“Sot, më 21 shtator 2025, shteti portugez njeh zyrtarisht shtetin e Palestinës”, njoftoi kreu i diplomacisë portugeze.

Ministri Rangel tha se Portugalia e njeh shtetin palestinez vetëm “pasi vendet e tjera aleate e kanë bërë këtë” dhe duke theksuar se Autoriteti Palestinez “njeh ekzistencën e Izraelit”, raportoi televizioni kombetar RTP.

“Në këtë ditë kur Portugalia njeh Shtetin e Palestinës dhe riafirmon vullnetin e saj për të forcuar marrëdhëniet e thella dhe të lashta të miqësisë midis popullit portugez dhe popullit izraelit dhe marrëdhëniet e ripërtërira dhe të mbara të miqësisë me popullin palestinez, ne kërkojmë, nga thellësia e zemrave tona, që të ndalen të gjitha armiqësitë, që t’i jepet një mundësi rivendosjes së ndihmës humanitare, që të hapet një rreze drite për paqen”, u shpreh Rangel.

Rangel shtoi se përgjigjja e qeverisë së Benjamin Netanyahut ndaj sulmit terrorist të Hamasit është “dukshëm joproporcionale” dhe se kjo njohje “nuk e fshin katastrofën humanitare që po përjetohet në Rripin e Gazës”.

Portugalia iu bashkua kështu Mbretërisë së Bashkuar, Kanadasë dhe Australisë, të cilat e njoftuan vendimin e tyre disa orë më herët.

Shpërndaje