
Nga Justinian Topulli
Regjimi i sotëm i ligë iranian, erdhi në pushtet duke përmbysur një tjetër regjim të lig e vasal, që e jepte naftën tek të huajt për badjava.
Me kalimin e kohës, ky regjim tregoi se sa represiv dhe i dhunshëm qe, që edhe pse e pavarësoi Iranin nga kolonializmi i huaj, e ktheu atë -në emër të fesë- në rob të një agjende të egër sektare e politike dhe skllav të një klike klerikale.
Por këqardhja hipokrite e politikës së sotme ndërkombëtare, nuk lidhet në thelb me të drejtat e njeriut në atë vend, por me interesin gjeopolitik që ka rënia e pushtetit të mullave shiitë.
Dhe sigurisht në krye të atyre që u intereson kjo (përtej çdo ideje konspiracioniste se janë aleat të përjetshëm), është shteti sionist.
Kështu që edhe sikur të bjerë regjimi i Khameneit apo të shkojë në luftë civile, sionistët nuk planifikojnë ta bëjnë Iranin ndonjë vend sunit apo dashamirës me arabët. Aspak. Nëse do të munden sigurisht, gjë që për realitetin iranian është e vështirë t’ia arrijnë.
Kurbani në këtë rast dhe viktima është populli iranian, që duket sikur ndodhet mes dy të këqijave: sektarizmit politik të ligë e të dhunshëm të mullave dhe sionizmit kolonial global.
Megjithatë realiteti iranian mund dhe duhet të prodhojë një mundësi të tretë, që i përjashton të dyja këto mundësi dhe është më pozitiv për vetë atë popull dhe për fqinjët e tij dhe rajonin.
Kjo mbetet për t’u parë, por askush të mos fantazojë se do të përmbushen ëndrrat që projektojnë të tjerët nga jashtë për Iranin, realiteti është shumë më kompleks dhe vetëm Zoti e di dhe e vendos përfundimin final të ngjarjeve.




