Policia Shkodër: Arrestime, procedime dhe aksidente me dëmtime të lehta në qytet dhe rajon…

Shpërndaje

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasin E. H., 35 vjeç, banues në fshatin Dobraç, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.
Gjithashtu, specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, pasi dje, shtetasi B. H., 54 vjeç, banues në Shkodër, duke lëvizur me biçikletë, është rrëzuar dhe për pasojë është dëmtuar. Ai po merr mjekim në Spitalin Rajonal Shkodër dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin V. K., 28 vjeç, për veprat penale “Ushtrim pa licencë i veprimtarive bankare” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, pasi është konstatuar se ushtronte veprimtarinë e këmbimit të valutave, në mënyrë të jashtëligjshme. Gjatë kontrollit në subjektin e tij, janë konstatuar shumë parash të valutave të ndryshme, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit L. F., 62 vjeç, dhe F. K., 58 vjeç, pasi nga kontrollet e kryera në bashkëpunim me shërbimet e OSHEE-së, në banesat e tyre u konstatuan lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. K., 25 vjeç, banues në fshatin Ormanaj, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe referuan materialet në Prokurori, pasi dje, shtetasja D. S., 44 vjeçe, ka humbur jetën gjatë transportimit në spital, dyshohet për shkak të arrestit kardiak.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Informacion paraprak / Rreth orës 11:20, në fshatin Koplik i Sipërm, automjeti me drejtues shtetasin K. D. është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin J. H.

Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar lehtë 2 drejtuesit e automjeteve dhe shtetasi K. H., pasagjer ne automjetin me drejtues shtetasin J. H., të cilët po marrin mjekim në Spitalin Rajonal Shkodër dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Shpërndaje