Policia Bashkiake e Tiranës nis aksionin për konfiskimin e makinave të braktisura, pronarët kanë 30 ditë afat…

Shpërndaje

Në Tiranë, ende nuk ka një shifër të saktë mbi numrin e automjeteve të braktisura në lagje, parkingje apo hapësira publike. Por tashmë, një marrëveshje mes Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e Konfiskuara dhe Policisë Bashkiake ka hapur rrugën për konfiskimin e tyre, nëse pronarët nuk i largojnë brenda 30 ditëve nga njoftimi.

Shefja e Policisë Bashkiake, Elona Lalaj, bëri të ditur se procesi ka nisur me njoftimin zyrtar të drejtuesve të mjeteve, të cilëve u jepet një afat njëmujor për t’i zhvendosur. Në rast se ky afat kalon pa veprime, policia bashkiake do të ndërhyjë për heqjen e mjetit, i cili më pas kalon në administrim të agjencisë përkatëse. “Nga momenti i konfiskimit, qytetari humbet të drejtën e pronësisë, pasi ka pasur kohë të mjaftueshme për ta hequr ose dorëzuar për skrap”, u shpreh Lalaj.

Ajo shtoi se gjatë muajve të fundit ka marrë shumë denoncime nga banorë të Tiranës, të cilët kanë dërguar foto e njoftime për automjete të lëna prej vitesh në rrugë. Lalaj falënderoi qytetarët për këtë bashkëpunim dhe i ftoi të vijojnë raportimet përmes portalit të bashkisë. “U bëj thirrje qytetarëve të lirojnë vetë hapësirat publike, të mos i kthejnë mjetet pa targa në magazina. Përndryshe, policia do të ndërhyjë me të gjitha mjetet ligjore në dispozicion”, përfundoi ajo.

Shpërndaje