Pipero jep lajmin e mirë: Në fund të javës fillon rënia e COVID 19

Për emisionin “Tempora” në RTV Ora, Pipero u shpreh se për shkak të masave të marra nga qeveria, kurba në Shqipëri ka qenë e zbutur.

Megjithatë Pipero tha se duhet të jemi të kujdesshëm, pasi edhe në muajin maj mund të ketë raste sporadike.

Pëllumb Pipero: Praktikisht java që kaloj unë mendoj që ka arritur pikun apo maksimumin e mundshëm kurba në Shqipëri. Duhet të kemi në konsideratë që kurba tek ne mbetet e zbutur për shkak të masave të marra nga qeveria. Pra ne nuk kemi një kurbë të ashpër, kemi një kurbë të zbutur dhe kur kurba është e zbutur do të thotë që rënia e saj është graduale dhe relativisht më e gjatë. Natyrisht e kam thënë dhe më parë, fundi i kësaj jave dhe fillimi i javës tjetër do të ketë doemos fillimin e rënies së qëndrueshme të epidemisë në vendin tonë. Unë mendoj se fundi i prillit do të ketë raste shumë të pakta. Por kam frikën se edhe maji do të ketë raste sporadike. Për të qenë të çliruar nga epidemia do të duhen së paku një muaj nga rasti i fundit i konfirmuar. Ndaj them që do jetë pak më i gjatë. Ndoshta këto ditë apo nga fundi i kësaj javë do të jetë fillimi i fundit që relativisht do të jetë i gjatë. Pra duhet doemos të jemi shumë të kujdesshëm.