
Nga Justinian Topulli
Permbystjet e Epokes Moderne
Epoka moderne, që tashmë ka disa shekuj që dominon botën e mendimit njerëzor me racionalizmin, empirizmin dhe progresivizmin e saj, jo vetëm ka zhvilluar shkencën dhe teknologjinë, por gjithashtu ka përmbysur dhe pështjelluar botëkuptimin njerëzor me tezat e saj filozofike, sociale dhe kulturore. Kjo ka ndodhur deri në atë pikë sa shumë prej njerëzve të sotëm nuk arrijnë të kuptojnë se si mendonin, jetonin dhe e kuptonin veten dhe botën paraardhësit tanë. Njerëzit sot jo vetëm kanë një qasje të pështjelluar dhe shpesh të pasaktë, por shpeshherë besojnë për epokën paramoderne në mënyrë të përmbysur dhe negative.
Panorama e sotme e shtrembëruar e paramodernes, për mënyrën sesi njerëzit dikur mendonin, jetonin, besonin dhe silleshin, vuan thellësisht nga konstrukti i stisur i modernes. Sigurisht që në të ka gjëra të vërteta dhe reale, përndryshe asnjë e pavërtetë nuk do të besohej, por mënyra sesi modernët e kanë konstruktuar panoramën e botës tradicionale, në vendosjen e fakteve dhe interpretimin e tyre, dhe sesi kanë ndërthurur në të pasaktësitë dhe paragjykimet e tyre, e ka bërë shumë të vështirë që njerëzit sot të kenë një perceptim të saktë dhe të qartë të asaj epoke që është më e gjata në historinë e njerëzimit.
Ky hendek, madje humnerë, në strukturimin e një realiteti që nuk ka ekzistuar i tillë siç perceptohet nga modernët, ka provokuar edhe ekstreme të qëndrimit ndaj tij, mes atyre që mohojnë modernen kokë e këmbë, dhe atyre që e shenjtërojnë atë kokë e këmbë, sigurisht pa harruar se mes këtyre skajeve gjenden edhe një mori qëndrimesh, mesatare dhe të drejta ose jo.
Një nga pasojat më të rënda të modernitetit industrial dhe teknologjik është se ai ka shkëputur shumë trupin e njeriut nga natyra biologjike dhe realiteti mjedisor në të cilin ai ka jetuar natyrshëm për një kohë shumë të gjatë, dhe për rrjedhojë kjo i ka shkaktuar atij stres dhe konfuzion shpirtëror e psikologjik. Moderniteti ka denatyruar njeriun nga mjedisi i tij i natyrshëm ku jetonte dikur, në atë nivel saqë ai e ka të vështirë ta perceptojë sot saktë botën dhe shoqërinë e paraardhësve të tij. Kështu që, nëse disa të vërteta shkencore janë akumulim i të vërtetave që njiheshin prej mijëra apo qindra vitesh, disa të vërteta të jetës, shoqërisë dhe natyrës njerëzore, njeriut modern i duhet t’i zbulojë nga e para. Njeriu modern ka fituar kohë duke zbuluar të fshehtat e universit dhe mikrobotës materiale, por ka humbur shekuj duke mos njohur vetveten, madje duke harruar edhe ato që paraardhësit e tij i njihnin prej kohësh.




