Opinion nga Redi Shehu: Basha u duhet të gjithëve!…

0
207

Zgjedhjet e 25 Prilllit u zhvilluan. Ajo që u tha u tha. Ngeli produkti politik që këto zgjedhje sollën. Plot 74 mandate për Partinë Socialiste e cila fiton jo pak por mandatin e tretë të saj radhazi. Një stacion i ri politik dhe psikologjik, i cili pas tre dekadave demokraci kapërcehet duke nënshkruar një humbje të Partisë Demokratike dhe një disfatë shkatërrimtare për Lëvizjen Socialiste për Integrim. Një palë zgjedhje, të cilat u zhvilluan në mesin e një pandemie dhe që më shumë se frikën nga infeksioni i saj, u përshkruan nga frika e infeksionit të vjetër që politika shqiptare ka, atë të destabilitetit. Pati dhunime, pati edhe vrasje si ajo e Elbasanit, pati edhe një President të Republikës që vetëm i tillë nuk ishte, pati edhe thirrje për marrje sfurqesh e mprehje sëpatash nga ky i fundit, por që në themel këto nuk arritën të destabilizonin në tërësi proçesin zgjedhor në Shqipëri.

Me 25 Prill Në Shqipëri u bënë një palë zgjedhje të cilat paraqitën në formën e një rezonance magnetike tërësinë e shëndetit dhe problemeve të trupit politik dhe elektoral shqiptar. Me atë që ndodhi të dielën e votimeve, u kuptua qartë se aksioni opozitar, artikulimi opozitar si dhe narrativa e analistëve opozitarë, kishte qenë dramatikisht në kundërshtim me realitetin politik të ndërgjegjes së shumicës së votueve, të cilët duke votuar Partinë Socialiste në kufirin maksimal të historisë së saj, shkatërruan pretendimin e paligjshmërisë së PS bazuar mbi dosjet e vjedhjeve të mëparshme të 2017-tes si dhe pretendimin se në zgjedhjet lokale të 2019-tës kishin votuar 15% e votuesve. Realiteti i ri i këtyre zgjedhjeve, na tregoi se Shqipëria elektorale vazhdonte të ecte ne një drejtim të kundërt me atë të Shqipërisë mediatike dhe analitike. Bazuar mbi këtë premisë, gjëja më e logjikshme që Partia Demokratike duhet të bëjë si dhe i gjithë establishment i saj duke përfunduar tek analistët e saj, është të rishpikin mënyrën e tyre të leximit dhe komunikimit të ngjarjeve dhe momenteve politike ne Shqipëri.

Partia Socialsite arriti qe e vetme të kalonte pritshmëritë e më optimistit. Narrativa se këto zgjedhje janë manipuluar apo vjedhur nuk na çon askund, për arsye se masa e vjedhjeve në këto zgjedhje nuk ka mundur të ndikojë në rezultatin përfundimtar, ngase distanca mes fituesit dhe humbësit është aq e madhe sa e bën të pamundur besimin se manipulimi dhe vjedhja kanë qenë faktori kryesor. Këto të fundit kanë qenë dhe janë realitet elektorale tek ne, por të paktën në këto zgjedhje nuk mund të fajësohen si elementi kryesor i transformimit të votës dhe pamundësisë së rrotacionit politik. Këtë tezë, e vërteton edhe fakti sondazheve. Ka sondazhe të cilat kanë rënë kokës rezultatit, të cilat jepnin ekzaktesisht aq sa partitë kanë marrë në këto zgjedhje. Në këto sondazhe që kanë filluar që nga Janari i këtij viti, kemi parë se si Partia Socialiste ka qëndruar e palëkundur në kuotat aktuale të saja dhe ajo që është rritur me kalimin e muajve si dhe me afrimin e datës së zgjedhjeve ka qenë Partia Demokratike. Nëse do kishte manipulime dhe blerje masive të votës pak javë para zgjedhjeve, atëhere diferenca e kuotave të PS do të ishte e dukshme nga kuotat e saja të sondazheve muaj më parë. Në fakt jo, PS ka mbajtur të njëjtin trend duke ruajtur votën gjatë gjithë periudhës paraelektorale.

Partia Demokratike në këto zgjedhje arriti një fitore brënda humbjes. Ajo arriti të kthente në shtëpi mandatet e marra me joshje nga LSI në 2017-tën. Numri i mandateve brënda aleancës së tyre është pothuaj i njëjti. Në 2017-tën PD dhe LSI morën së bashku 62 mandate, ndërsa në 2021-shin kanë 63 mandate, me ndryshimin që në të parin LSI kishte 19 kurse në të dytin ajo u reduktua në 4. Pra, lëvizja dhe rritja e PD është bërë në brëndësi të koalicionit të saj dhe jo në kurriz të Partisë Socialiste. Diferenca mes kësaj të fundit dhe Partisë Demokratike është 15 mandate që është një diferencë llahtarisht e madhe duke marrë në konsideratë që PS ka tetë vite në pushtet me dhjetra skandale dhe korrupsin galopant si dhe me një kriminalizim të politikës dhe politizim të krimit në nivele të pa para ndonjëhere.

Gjithë ky rezultat i 25 Prillit kthehet në formën e një gishti gjigand tregues i cili i drejtohet opozitës dhe kryesisht Partisë Demokratike, lidhur me paaftësinë e saj për ta goditur maxhorancën në pikat e saj më të dobëta. Jo vetëm kaq, por për paaftësinë e opozitës për të ndërtuar frymë dhe bindje tek maxhoranca e shqiptarëve për një shpresë të re dhe ndryshim të ri. Opozita u paraqit me sloganin e ndryshimit por në realitet personazhet me të cilat ajo u afishua në publik, ishin personazhet e tranzicionit, të status-quo-së, ishin personazhe që i rikthenin në mendje shqiptarëve kohë të cilat nuk kanë aspak lidhje me ndryshimin dhe “republikën e re” të pretenduar nga Basha.
Pas gjithë kësaj që ndodhi, pas kësaj disfate spektakolare për opozitën, z. Basha del para shqiptarëve me nje koreografi vajzash dhe djemsh të rinj, në ballë të të cilëve qartë dukej Xhelal Mziu, për t’i thënë se “Shqipëria do të fitojë”. Me pak fjalë, koreografia e rinisë në sfond si dhe z. Mziu bashkë ma ta, janë metafora se Basha do rrëzojë tezën e të qënurit një lider evropian dhe se do qëndrojë pafundësisht në pushetet si lider ballkanik, por edhe se e ardhmja nuk do të shkëputet nga e shkuara e jo fort komode e Partisë Demokratike. Me këto mesazhe dhe me këto figura, Basha sapo noterizoi Ramën në pushtet deri në vitin 2029.

Nga ana tjetër, Basha u duhet të gjithëve. I duhet Ramës për të vazhduar i palëkundëur nga fitorja në fitore, i duhet Berishës për ta mbajtur peng PD-në, si dhe i duhet ndërkombëtarëve të cilët pa Bashën nuk kanë një portë hyrëse tek opozita. Në këtë kuptim, Basha na duhet. Na duhet që tranzicioni të mos mbarojë derisa liderët të kenë mbaruar disa punë. I vetmi që ngelet pa zgjedhje është votuesi shqiptar i lodhur me të keqen më të vogël, i cili duket se do vazhdojë të kërcëjë bashkë me Ramën tangon “Shqipëria 2030”

PËRGJIGJU