
Pesë atentate të planifikuara kundër presidentit sirian Ahmad Al-Sharaa dhe dy anëtarëve të lartë të kabinetit u penguan vitin e kaluar, sipas vlerësimit më të fundit të OKB-së mbi kërcënimin që paraqet DEASh-i
Detajet janë përfshirë në raportin e 22-të të sekretarit të përgjithshëm mbi kërcënimin që DEASh paraqet për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, i përgatitur në koordinim me Zyrën e OKB-së për Kundërterrorizëm, raportoi të mërkurën The Washington Post.
Al-Sharaa u identifikua si objektiv prioritar, së bashku me ministrin e Brendshëm Anas Khattab dhe ministrin e Jashtëm Asaad al-Shaibani, thuhet në raport.
Dy komplote për vrasjen e presidentit u organizuan në qytetet Halep dhe Daraa nga Saraya Ansar al-Sunnah, një grup që nuk figuron në listën e OKB-së, por që vlerësohet se vepron si front për DEASh-in. Kjo skemë i siguronte grupit mohueshmëri të besueshme, ndërsa njëkohësisht rritte kapacitetin e tij operacional, tha raporti.
Pavarësisht operacioneve të vazhdueshme kundër terrorizmit, situata e sigurisë në Siri mbetet e brishtë, thuhet në raport, me qeliza të DEASh-it që vazhdojnë të veprojnë në gjithë vendin.
Sulmet janë drejtuar kryesisht kundër forcave të sigurisë, veçanërisht në veri dhe verilindje, përfshirë edhe një sulm që kishte në shënjestër forcat e koalicionit të udhëhequra bashkërisht nga Siria dhe ShBA-ja.




