
Nga Zenepe Dibra
PER KULLEN NE QENDER TE SHKODRES
Një debat i gjërë sot po bëhet në lidhje me ndjeshmërinë që ka sot publiku shkodran për cdo gjë që ka të bëje me qytetin, me ruajtjen e trashëgimisë ndërtimore, etj. Më pëlqen që shkruajnë edhe ato që nuk janë specialistë të fushës por që i dhemb zemra për diçka që nuk i shkon ndertimores së Shkodrës. Aq më tepër ne inxhinierëve na dhemb pak më shumë sepse kemi punuar me ndërtimet, kemi projektuar, zbatuar me dhjetra ndërtime që kanë krijuar profilin ndërtimor të Shkodrës. Personalisht më pëlqen shumë kjo përfshirje sepse ai vend apo qytet që ka indiferencë ndaj çdo gjëje që ndërtohet në qytetin, e tij është i destinuar të pranojë pasojat. Njerëzit flasin politikisht dhe është e drejtë e tyre. Shkodranët më përpara nuk kanë folur se ndoshta në pushtetin lokal ishte partia që ato kishin votuar. Shumë gabim për mua sepse edhe atëherë u banë shumë gjëra që sot po i ndiejmë. U prish banesa e Luigj Gurakuqit, e Daut Boricit, Shtëpia e Migjenit, u ndërtua një urë e rëndë mbi Bunë aspak moderne dhe me defekte, nuk u mirëmbajten me dhjetra banesa monument kulture, nuk u ba asgja për zgjerimin e Muzeut Historik, etj.
Shkodra nuk e meriton atë museum që ka sot me një volum të vogel, ku etnografia e tij po myket në magazine dhe ekspozohet herë pas here në raste festash, asgja për biblioteken e shemtuar që mbart me qindar libra të vjetër dhe shumë me vlerë që nuk i ka as Biblioteka kombetare sot, apo ndërtimi i bypasit që unë në një poezi e kam quajtur “terr në sytet e mij”. Shumë intelektualë kanë folur për këto probleme, por mendimet e tyre kanë ra në vesh të shurdhët. Sot informacioni dhe pjesëmarrja e publikut në rrjete sociale e ka rritur ndjeshmërinë e publikut dhe se paku asht gjetur nje vend ku mund të flitet lirshëm.. Por a asht kjo arsye të mos i ngremë problemet sot pra pse nuk kemi protestuar atëherë të mos flasim as sot?
Mendoj se asht koha sot dhe mot që gjithmonë për Shkodren tonë ta ngremë zerin tonë pa ndikim partiak, por të mbështetur në argumenta dhe logjike shkencore, kur preken çeshtje të tilla që na interesojnë të gjithve sepse nuk e duan Shkodren vetem institucionet apo pushtetarët që ndryshojnë stafet sipas zgjedhjeve por në radhë të parë e duam ne shkodranët , ne jemi “rana” që rrimë këtu kurse të tjeret janë “uji” që shkon e vjen. Na shtrohet problem per ne intelektualet, e sidomos ne inxhinieret e ndërtimit që duhet të japim mendimin tone. Shumë dakord. Po kur jemi pyetur ne? Po cili kryetar bashkija na ka mbledhur per tu konsultuar dicka me ne? Por kur na është marrë ndonjëhere parasysh ndonjë sugjerim Pothuajse kurrë! E kam permendur edhe në një shkrim tjeter ku bashkëshorti im, me një eksperiencë të gjërë në energjitikë, i ka dërguar dy herë letra dy kryeministrave të Shqipërisë për problemet energjitike të Shkodrës që çfarë duhet ndërtuar dhe çfarë jo , ku dhe si, përfshirë edhe mendime për Hidrocentralin e Bushatit, por asnjë përgjigje, asnjë konsideratë. Por kjo nuk do të thotë që ne të mos flasim, të mos sugjerojmë të mos kritikojme, edhe nëqoftëse nuk na merret asgja parasysh së paku në ndergjegjen tonë të mos na mbesë diçka që duhej bërë e nuk e bëmë.
Një problem që dua të theksoj është se në ndërtimin e kësaj kulle personalisht unë nuk kam asgja ndaj investitorit . Bile në librin tim “Qyteti që lindi nga një kështjellë Histori ndërtimore e qytetit të Shkodres”. kam vlerësuar ndërtimet që kanë bërë biznesmenët e ndërtimet në qytetin tonë, ndërtime të bukura, moderne, funksionale, me parametra bashkëkohorë që kanë zbukuruar ambientet tona publike. Por në rastin konkret ato duhet të dijnë që Shkodra nuk duhet prishur për interesa të biznesit se jemi ne shkodranët që e duam atë pa i prishur trashëgiminë ndërtimore të kaluar, me të cilën identifikohet.
Së dyti unë si inxhiniere nuk e njoh projektin dhe asht e vështirë me dhanë mendim pa e njohur atë Ne nuk e njohim arkitektin që e ka projektuar, nuk njohim urbanistin në këtë projekt, nuk e dijmë kush e bani studimin gjeologjik. Këto gjana ballafaqohen në një takim të gjërë publik ku të afishohen edhe pjesë të projektit. Ku janë sot dëgjesat publike? Natyrisht ndërtimi asht privat, këtë e dimë por kur cënon urbanistiken e qytetit, apo pronen e dikujt tjetër (që ky është problem tjetër në vehte) ai duhet të studiohet mirë për tu aprovuar. Por duke e parë si ndërtesë vetëm në foto mendoj se nga ana urbanistike ky ndertim nuk qëndron.Kolë Idromeno ishte arkitekti i qytetit tonë në vitet 1930-1940 merita e të cilit ishte se jo vetëm projektoi dhe zbatoi ndërtesa me arkitekturë të stilit neoklasik por ajo që është më e rëndësishme ai krijoi një ansambël arkitekturor që nga ana urbanistike ato rrinë kaq mirë me njëra tjetren. Po kjo ndërtesë e prish këtë ansambel arkitektonik se nuk asht në harmoni me të tjerat. Ndërtimi nuk qëndron edhe nga ana volumore pra si qëndrojnë volumet në atë ambient në lidhje edhe me ndërtesat përqark sepse kjo mospërputhje shkakton shëmtinë. Në urbanistikë është element i rëndësishëm si rrijnë volumet me njëri tjetrin. Këtë sot e respektojnë arkitektët e huaj që vazhdojnë të ndërtojnë kudo në botë dhe ne shohim mjaft ndërtesa të larta në botë por qëndrimi i tyre volumor dhe përputhja në mes volumeve përreth ambientit jep harmoni që nuk ta vret syrin.Pastaj pse është i rëndësishmë taman ky vend në zonen historike që me ligj asht e paprekshme, e sidomos për ndërtime të larta?? Mbaj mend një arkitekte italiane që në një takim u shpreh disa hërë:”Ju lutemi bëni çmos e mos e prishni të kaluaren ndertimore. Ndërtesat e reja i kemi në dorë ti ndertojmë çdo ditë por të vjetrat janë trashëgimi, kulturore e një epoke, dhe të vjetren nuk kemi ku ta marrim. Këtu nuk po prishet ndonjë ndërtim i vjetër por pozicioni i një ndërtimi të tillë prish ambjentin e të vjetrës, prish qarkullimin, prish krejt urbanistiken e një qendre.Pastaj me ke krenohen popujt për të renë apo për atë që është ruajtur?Ka edhe vende të tjera, Shkodra ku mund të ndërtohet drejt Shirokës apo drejt zgjerimit të saj në veri apo jug.
Së treti nga ana sizmologjike ky ndërtim me këtë numer prej 35 katesh është i pari në Shkodër. Në kohen e sistemit komunist vetëm një ndërtesë 8 katëshs është ndërtuar në Rus me një përgjegjësi të madhe por terreni ndërtimor me një rezistencë të lartë, e lejonte. Tashti për Shkodren, ultësira e të cilës njihet si fushë e veçantë autoktone sizmike, me një të kaluar sizmiko-tektono-orografike shumë të vrullshme, për nga shkalla e rrezikut sizmik futet në grupin e parë nga tre grupet më të rrezikuara të vendit tonë dhe që përfshin zonën jonike- adriatike ku përfshihen Saranda,Himara, Vlora, Durrësi dhe Shkodra. Prof. Eduard Sulstarova, Prof. Dr. Shyqyri Aliaj, Prof. Dr. Siasi Koçiu dhe Prof. Dr. Betim Muço, më 2010 kanë publikuar monografinë e tyre të fundit“Sizmiciteti, sizmotektonika dhe vlerësimi probabilitar i rrezikut, sizmik në Shqipëriku kanë .nxjerrë hartat e reja të shpërndarjes sizmike, Sipas këtij studimi, vlerësimi i rrezikut sizmik probabilitar i Shqipërisë përputhet me Eurokodin 8 për ndërtimet antisizmike. Mbi bazën e studimeve sizmologjike dhe sizmotektonike është ndërtuar harta e rajonizimit sizmik të vendit, në shkallën 1:500.00 ku autorët kanë dalluar 9 zonat e burimeve sizmike në vendin tonë , duke filluar nga 6.5 ballë deri në 9 ballë. Zonat me intensitettë pritshëm 9 ballë janë dalluar ne Vlore, në afërsi te Lushnjes , në Durrës , në Korçe,Pogradec, Gollobordë, në Shkodër. Bile sot nuk ndahen në zona por i gjithë vendi vlerësohet si rrezik të lartë sizmik. Në harten sizmike të re rekomendohet që ndërtimet të bëhen sipas eurokodit 8 për të përballuar tërmete me sizmicitete të lartë. Unë kisha patur një pyetje :A është bërë projekti konstruktiv sipas Eurokodit 8? Kush duhet të ma japë këtë pergjigje?
Nga ana tjeter Shkodra, si qytet pothuajse është në nivelin e detit. Në murin e Prefekturës ka qenë një tabelë ku shënohej disniveli më detin prej 6-7 metrash(me falni nëqoftëse nuk mbaj mend ekszaktësisht shifren). Si asht marrë parasysh ky fakt sepse themelet e kësaj ndërtese duhet të jenë të thella (Por sa nuk dihet?) dhe mund të ndodhë që në një përmbytje si të viteve 2011 por edhe më vonë krejt themelet të jenë të zhytura në ujë.
Së katërti në foto shoh një ndërtesë të lartë me disa ngjyra Kjo është arkitektura reale e fasadës apo na është paraqitur për të vlerësuar sa e bukur asht? Po ngjyrat a nuk janë stonuese në ambientin e ndërtesave të pedonales që K. Idromeno i kombinoi me estetikë dhe në harmoni?
Të gjitha këto pyetje, do ishte mirë të shtroheshin në një takim publik ku të merrnin pjesë projektuesit e kësaj godine si dhe një grup i madh inxhinierësh, arkitektësh, urbanistësh, piktorësh, shkrimtarësh ku t u jepej përgjigje këtyre shqetësimeve dhe të merreshin parasysh edhe sugjerimet. Por siç shihet opinioni i specialistit dhe më gjërë edhe i publikut nuk ka nevojë të merret parasysh sepse këto vendosen jashtë këtyre instancave dhe sipas interesave klienteliste..




