Nga janari në shtator, rreth 6 mijë shqiptarë kërkuan azil, shteti i preferuar Franca…

Shqipëria është një ndër 10 vendet me numrin më të lartë të azilkërkuasve në Evropë. Në raportin e fundit të Eurostat thuhet se vendi ynë dhe Maqedonia e Veriut kanë regjistruar një rritje të ndjeshme të aplikimeve për herë të parë në raport me një vitin që lamë pas, kur pandemia kufizoi lëvizjet.

Shqiptarët janë nder të parët ne kontinent me numrin më të lartë të azilkërkuesve në Bashkimin Evropian. Sipas raportit të fundit të Agjencisë Evropiane të Statistikave, ne renditemi të 7-et ne listë.

Numri i shtetasve shqiptarë që kanë aplikuar për herë të parë për mbrojtje ndërkombëtare në vendet e BE nga fillimi i vitit deri në shtator është 5 890, ndërsa rritja më e ndjeshme e aplikimeve është regjistruar gjatë muajve të verës me 3 850 kërkesa në total.

Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar janë 2 770 aplikime më shumë. Rritja të ndjeshme të azilkërkuesve gjatë 3-mujorit korrik-shtator ka pasur dhe Maqedonia e Veriut, me 1 090 aplikime.

Ndërkohë gjatë vitit 2020, numri i kërkesave për azil nga shtetasit e këtij vendi ka qenë 115.

Sa i takon shtetit që preferojnë shqiptarët, të dhënat tregojnë se Franca zë pjesën më të madhe të aplikimeve për periudhën korrik-shtator 2021 me 64%, pas saj vjen Gjermania,Greqia, Belgjika dhe Italia.

Sipas raportit, Gjermania është në krye të vendeve të unionit ku njerëzit nga e gjithe bota kërkojnë srehim me rreth 100 mijë kërkesa për azil nga janari deri në shtator 2021.

Në vend të dytë vjen Franca me mbi 70 mijë kërkesa. Numri i azilkërkuesve ka rënë në Spanjë, e ndjekur nga Greqia, Suedia, Malta dhe Luksemburgu. Ndërkohë shumica e emigranteve jane nga Afganistani, Siria dhe Iraku.

Eurostat bën me dije gjithashtu se shtatori i këtij viti ka regjistruar rreth 61 mijë kërkesa për azil, duke kaluar kështu dhe nivelin e shtatorit të vitit 2019.

Vitin e kaluar, numri i azilkërkuesve ra ndjeshëm në të gjithë Europën, kryesisht për shkak të pandemisë së Covid-19.