Në aeroporte tani do të haseni me “helmetat e zgjuara” që zbulojnë Covid19

Helmetat tashmë do t’i shihni edhe brenda terminaleve të aeroporteve.

Aeroporti i “Fiumicino” është i pari në Europë që ka nisur përdorimin e “helmetave të zgjuara” për të kontrolluar temperaturën e udhëtarëve, por përdorimi i tyre pritet të zgjerohet shpejt në të gjitha aeroportete vendase dhe ato europiane.

Helmetat janë të pajisura me një termo-skaner portabël, që skanon njerëzit me simptomat e koronavirusit të ri, nga një distancë e sigurt, deri në 7 metra.

Stafi i aeroportit do të mbajë në kokë këtë helmet të stilit “Robocop”, bashkë me maskën, dorezat dhe uniformat e tyre, njësoj si ikona e filmit të vitit 1987. Ngjitur me helmetat janë pozicionuar edhe kamerat dhe termo-skaneri që mat temperaturën e trupit. Një pamje e qartë e skanimit transmetohet në pjesën e brendshme ballore dhe reflektohet menjëherë, në mënyrë që edhe vetë pasagjeri të mund të informohet.

Fiumincino është një nga aeroportet me më shumë fluks udhëtarësh në Itali. Vetëm në 2019 përmes tij udhëtuan 43,5 milionë pasagjerë ndërsa në janar të këtij viti, numri i tyre i kaloi 2,7 milionë për vetëm 30 ditë.