
Gjyqtarja Elsa Ulliri, e përzgjedhur me short për të shqyrtuar çështjen penale ndaj kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, është tërhequr nga procesi gjyqësor. Dorëheqja e saj i është komunikuar kryetarit të Gjykatës, i cili e ka miratuar, ndërsa në vend të saj është caktuar si gjyqtar relator Besmir Stroka. Në trupën gjykuese do të vijojnë të jenë edhe gjyqtaret Irena Gjoka dhe Etleva Deda.
Seanca e parë ndaj Becit nuk u zhvillua, pasi munguan dy prej avokatëve mbrojtës. Për këtë arsye, gjykimi u shty dhe është planifikuar të mbahet më 20 maj, në orën 10:00.
Më 17 mars, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë vendosi kalimin për gjykim të dosjes ndaj Benet Becit dhe gjashtë ish-anëtarëve të njësisë së prokurimit në KESH. Ata akuzohen për shkelje të barazisë në tendera lidhur me një procedurë konsulence me vlerë rreth 69.5 milionë lekë.
Sipas SPAK, gjatë tenderit të zhvilluar nga KESH në vitin 2019 për projektin “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjetik”, janë krijuar avantazhe të padrejta për kompaninë fituese “Consulting & Management Albania” sh.p.k., në kundërshtim me rregullat e prokurimeve publike.
Hetimet ndaj Becit dhe ish-vartësve të tij nisën pas kontrollit të ushtruar në banesën e Evis Berberit, ku u sekuestruan materiale që, sipas SPAK, lidhen me këtë procedurë prokurimi. Edhe Berberi është nën akuzë për shkelje të barazisë në tendera dhe pastrim parash.




