Ndërtimet pa leje, Rama: 4646 metra katrorë në mes të Tiranës, i kalojnë shtetit me kontratë noteriale…

Kryeministri Edi Rama firmos aktin e parë të dorëzimit të 4646 metrave katrorë pa leje në mes të Tiranës, të cilat i kalojnë shtetit me kontratë noteriale.

Në një videomesazh për ndërtimet pa leje Rama thotë se askush, as opozitat që nuk lënë akuzë pa bërë, as mediat që nuk lënë gjë pa thënë, as drejtësia jo e jo, që nuk lë avlli apo papafingo nëpër periferi pa ndëshkuar, nuk i pa, nuk i tha, nuk i dëgjoi dhe nuk i kërkoi katet dhe metrat e ndërtuara pa leje për qëllim fitimi deri dhe në mes të Tiranës.

Sepse të tërë, ose e kanë të ngjyer gishtin, kush më shumë e kush më pak, kush direkt e kush indirekt, në mjaltin e tullave e të betonit, ose i kanë sytë kaq të verbuara e veshët kaq tapë nga urrejtja që i mbush gojën me shpifje, me gënjeshtra, me akuza që janë shumë të fortë me të dobëtit, por shumë të dobët me të fortit.

Ama kush ka kujtesë e di që luftën me ndërtimet pa leje dhe betejën për shijen urbanizuese dhe modernizimin civilizues e kam nisur bashkë me politikën, pa e reshtur kurrë, me shumë arritje, por dhe me disa dështime.

Rama shtoi më tej se e kanë ulur dhjetë fish numrin e metrave katrorë pa leje që ndërtuesit e pallateve i kishin dikur bukë e djathë në kryeqytetin e Shqipërisë.

Por Kryeministri shprehet se ende nuk i kanë ndalur dot për fare, sepse gjithsesi e kanë gjetur gjithnjë rrugën për ta blerë të drejtën që nuk e kanë, duke paguar inspektorë, ndonjë polic, ndonjë shef komisariati, por edhe duke marrë peng gjykatës e prokurorë të cilët kanë patur gjithnjë kollaj ta tregojnë zellin e tyre me më të dobëtit, për një avlli apo dhe një çati pa leje.

Ama tani kemi ardhur tek kapitulli i fundit i kësaj përpjekje të gjatë dhe pasi e kemi parë që drejtësia e shitur për lekët e metrave pa leje u ka hapur vazhdimisht një shteg shpëtimi, kemi marrë një vendim të ri qeverie dhe e kemi mbyllur çdo shteg, sepse mua dhe këtë qeveri, ta harrojnë, nuk na blejnë dot, askush!

Unë e kjo qeveri jemi të vendosur ta çojmë deri në fund çdo përpjekje pa u lodhur as nga kthesat shpesh herë të forta, as nga të përpjetat, as nga tatëpjetat të panumërta, të përditshme, në këto kohë kaq të vështira.

Ja ku është edhe akti i parë i dorëzimit! 4646 metra katrorë pa leje në mes të Tiranës, i kalojnë shtetit me kontratë noteriale. E ky është vetëm akti i parë i marrjes për interes publik të pasurive në metra katrorë të paligjshme, që do të pasohet nga të tjerët deri në metrin e fundit katror.

Prandaj, kush merret me mua e me ne duke na treguar si ata që fshihen pas kullave e pas pallateve, le ta shohë mirë të vërtetën ose le të vazhdojë të lehë, por unë i siguroj të gjithë ata që duan një Shqipëri të drejtë e që duan një Shqipëri ku ligji të jetë njësoj për të gjithë e të mos ketë të fortë para ligjit, se nuk do t’i tradhtoj kurrë!