Ndërmendja dhe Taksat e Qytetarëve…

Shpërndaje

Nga Alban Kali

Ndërmendja dhe Taksat e Qytetarëve…

Ka kohë që më shqetëson një tingull sonde që shpon tokën pranë xhamisë Ebu Bekër. Teksa perpiqem të këndoj ezanin mes shumë kritikash për volumin e lartë, për stërzgjatjen melodike e me radhë, më habit fakti që nuk ka shumë ankesa për ato tingujt e frikshëm që përhap një sondë e stërmadhe që shpon tokën e shenjtë me kambnguljen e një fodulli… Kur mendoj se aty dergjen eshtrat e të parëve, të cilëve po ua shpojmë gjokset, në emër të një zhvillimi krejt të keqkuptuem… më kap lemeria dhe tingujt e asaj sonde të stërmadhe që shpon të parët e mi, fillojnë e më duken si tingujt e borisë së parë të fundit të kohës sonë…
Për të largu pak mendjen thashë po shkoj në teatër me bashkëshorten dhe po shijojmë ‘Ndërmendjen’ një event që është kriju me idenë e perkujtimit të personazheve tona të artit e muzikës. Filloi programi me J. Strauss II. Unter Donner und Blitz op. 324. Mandej F. David. Koncertino për trombone, me pas Vivaldi, Vera nga katër stinët. Deri këtu situata ishte mirë. Eventi laik, cilësi artistike-klasike, por me mungesë të theksuar të vlerave tona kombëtare në pergjithësi dhe shkodrane në veçanti. Megjithatë po pritsha vazhdimin. Ngjarja artistike e fundvitit, e datës 28 Dhjetor, merr një kahje religjoze. Dalin fëmijet e qendrës “Kujtima Alija”, zbukurohet skena, mbushet me engjëj dhe fillon pjesa e radhes C. Franck. Panis angelicus, një himn i mirëfilltë liturgjik katolik. Pjesa tjeter me moderne, por prap religjoze, J. C. Jingle Bell Rock, tjetra prap kishtare J. Marks. Rockin’ Around the Christmas Tree. Mandej luhet një pjesë interesante ku ngjizen muzika me sportin duke shkaktu humor për çtensionimin e situatës me pjesën J. Strauss I. Sport-Polka, op. 170. Ishte gjetje e bukur kjo pjesë. Por mandej situata arrin kulmin me pjesën M. S. Eriksen, T. E. Hermansen, dhe Beyonce Knowles. Ave Maria, e cila i drejtohet Virgjereshes Mari për mbrojte dhe udhëzim… Programi vazhdoi me pjesët e tjera që ishin të kandshme.
Por po mendoja me vedi, a është e drejtë që ky aktivitet laik, publik dhe i financuar nga taksat e qytetarëve, të ketë orientime apo mesazhe që favorizojnë një fe të caktuar, duke marrë parasysh faktin që shumica e pjesëmarrësve të korit të fëmijëve apo të auditorit mund te mos ishin te krishterë?
Vëllezerve të mi të krishterë dua t’u theksoj fort dhe qartë faktin se kjo temë nuk ka lidhje fare me ta dhe me atë çfarë ata kanë vendos të besojnë. Unë besoj në respektimin e çdo feje si vlera e vetme që na e bën të mundur bashkëjetesën… Shkodra është një qytet me bashkëjetesë të shkëlqyer fetare dhe kjo është një pasuri e përbashkët për të gjithë ne.
Por respekti për të gjitha besimet është i domosdoshëm!
Po aq e rëndësishme është edhe ruajtja e neutralitetit fetar në institucionet dhe aktivitetet publike!
Shpresoj që ky sensibilitet të merret parasysh në organizimet e ardhshme!

Shpërndaje