
Ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare një prej emrave më të shquar të kinematografisë shqiptare, regjisori Dhimitër Anagnosti.
Lajmin e hidhur e bëri publik vajza e tij, Juna Anagnosti, përmes një mesazhi prekës në rrjetet sociale ku shkruante:
“Lamtumirë Dhimitër Anagnosti… pas një lëngimi të gjatë u përule ligjit të jetës! Lamtumirë babush!”.
Anagnosti njihet si mjeshtër i madh i ekranit shqiptar, autor i filmave që kanë shënjuar breza të tërë, mes tyre “Lulëkuqet mbi mure”, “Përrallë nga e kaluara”, “Gjoleka, djali i Abazit” dhe dhjetëra të tjera që mbeten pjesë e kujtesës kolektive. Përveç si regjisor, ai dha kontribut edhe si skenarist e shkrimtar.
Gjatë jetës së tij të pasur krijuese, është nderuar me tituj të lartë, ndër ta “Nderi i Kombit”, si dhe ka mbajtur postin e Ministrit të Kulturës në vitet ’90.
Dhimitër Anagnosti do të kujtohet gjithmonë si një figurë e dashur dhe me ndikim të madh në artin dhe kulturën shqiptare.




