
Muho Asllani, ish-funksionar i lartë i Partisë së Punës së Shqipërisë, ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare në Durrës. I njohur si një nga figurat kryesore të periudhës komuniste, Asllani lindi në Bërdicë të Shkodrës, ku përfundoi arsimin bazë. Më pas, ai ndoqi studimet në Shkodër, duke përfunduar teknikumin bujqësor dhe më vonë Institutin Bujqësor në vitin 1964.
Në Kongresin e VI të PPSH-së u zgjodh anëtar i Komitetit Qendror të Partisë. Karriera e tij përfshiu poste të ndryshme drejtuese: në janar 1974 u emërua Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Matit, ndërsa në korrik të atij viti mori drejtimin e rrethit të Kukësit.
Në maj të vitit 1976 u emërua zëvendësministër i Bujqësisë, dhe në mars 1979 u bë Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së Burrelit. Gjithashtu, ka shërbyer si Sekretar i Parë në Shkodër. Në vitin 1981 u bë anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror dhe u emërua Sekretar i Parë në Durrës, detyrë të cilën e mbajti deri në vitin 1991, kur u shkarkua.




