Ndahet nga jeta Ahmet Omi, ish-zëvendëskryetar i Bashkisë Shkodër, në moshën 74-vjeçare…

Shpërndaje

Është ndarë nga jeta Ahmet Omi, ish-zëvendëskryetar i Bashkisë Shkodër, në moshën 74-vjeçare. Ai vuante prej dy vitesh nga një sëmundje e rëndë, e cila fatkeqësisht i mori jetën.

Ahmet Omi ka shërbyer për 8 vite radhazi si zëvendëskryetar i Bashkisë Shkodër, në dy mandate nga viti 2007 deri në vitin 2015. Ai u emërua në këtë detyrë nga kryetari i bashkisë së asaj kohe, Lorenc Luka, që në ditët e para të marrjes së detyrës dhe e ushtroi funksionin e tij pa ndërprerje për dy mandate.
Gjatë karrierës së tij politike, Omi ka mbajtur edhe postin e sekretarit të degës së Partisë Demokratike Shkodër, ku dha një kontribut të rëndësishëm në jetën politike lokale.

Pas ardhjes së Voltana Ademit në krye të bashkisë, Ahmet Omi u zëvendësua nga detyra e zëvendëskryetarit dhe më pas kaloi në një funksion pranë ndërmarrjes së ujësjellësit.

Ai ishte i diplomuar në financë dhe për vite me radhë ushtroi profesionin e ekonomistit, përpara se të angazhohej në detyra drejtuese në administratën vendore.

Gjatë 8 viteve në Bashkinë Shkodër, Ahmet Omi la pas një vlerësim dhe respekt të gjerë, i njohur për qetësinë, korrektësinë dhe qytetarinë që e karakterizonin, si pjesëtar i një prej familjeve të njohura të qytetit të Shkodrës.

RealitetiPost i shpreh ngushëllime familjes Omi.

Shpërndaje