Myftinia Shkodër organizoi tribunën fetare me temë: ‘’Sfidat dhe arritjet e Muslimanëve Shqiptarë në Perendim”…

Një pasdite e mrekullueshme vlerash besimi dhe vëllazërie islame e kombëtare

Sfidat dhe arritjet e muslimanëve shqiptarë në perëndim, ishin në fokusin e aktivitetit, që Myftinia Shkodër zhvilloi ditën e xhuma, më 21 maj 2021, në bahçen e xhamisë së Fushë Çelës.

Të ftuar për të sjellë eksperiencat dhe vizionet e tyre në këtë tubim, ishin edhe Imam Bekim Alimi, kryetar i Federatës Muslimane në Zvicrën Lindore, njëkohësisht imam dhe ligjërues në xhaminë e Wilit, si dhe Imam Didmar Faja, kryetar i Komunitetit Musliman Shqiptar në Arizona, si dhe imam i Qendrës së Bashkuar Islame në Arizona.

Në fjalën e hapjes, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, vlerësoi faktin se shqiptarët sot, gjithandej nëpër botë janë misionarë të zellshëm e të spikatur në përhapjen e dritës së fesë islame. Ai tha se fakti që Islami u përqafua masivisht nga shqiptarët, është një shenjë e madhe për të vazhduar me përkushtim shërbimet ndaj fesë së Allahut, përtej taborrave të islamofobëve, që përtej çdo përpjekjeje, nuk mund ta mbulojnë diellin që na sjell dritë të gjithëve.

Aktiviteti u përshëndet edhe nga nënkryetari i Bashkisë Shkodër, z. Ardit Qylybyli, i cili ishte i pranishëm në këtë tubim vlerash.

Ndërkohë ligjëruesit e nderuar sollën në vëmendje të ftuarve realitete nga aktiviteti islam në Zvicër dhe Amerikë, si dhe disa nga sfidat dhe arrijet e tyre në këto vende.

U theksua me të madhe fakti se përtej përballjeve me fanatizmin, racizmin dhe tendencat e ndryshme, kryesisht politike, Islami dhe muslimanët vazhdojnë të rrezatojnë vlerat e tyre kudo nëpër botë, duke dëshmuar përhapjen e mesazheve që e afrojnë përherë e më shumë njeriun me vëllanë e tij njeri.

Konvertimet e shumta në Islam dhe rritja e numrit të studiuesve dhe intelektualëve të shquar që e përqafojnë Islamin gjithandej nëoër botë, mbetet një shenjë shprese dhe optimizmi për më të mirën e njeriut, kudo në botë.

Aktiviteti u zbukurua edhe me praninë e bylbylit të trevave shiptare, Hfz. Egzon Ibrahimi, i cili dhuroi emocione e gëzim me pjesët e përzgjedhura nga Kurani Famëlartë dhe ilahitë e ndjera.

Një fjalë e ndjerë ishte edhe ajo e mbajtur nga Dr. Xhemal Seferti, nga Jordania, i cili solli në vëmendje hakun e Kudsi Sherifit, si dhe faktin se ajo xhami dhe tokë e shenjtë ishte, është dhe do të jetë njësi matëse e lartësimit të burrave të mëdhenj të ymetit islam.

Të pranishëm në këtë tubim ishin edhe drejtues të medresesë, shoqatave, fondacioneve, imamë, teologë dhe intelektualë nga Tirana, Tuzi, Ulqini, Tetova e Prizreni.

Myftinia Shkodër, 22 maj 2021