Moti i keq në Qarkun e Shkodrës, dëme në ura dhe rrugë…

Reshjet e dendura të shiut kanë përfshirë pjesën më të madhe të vendit prej ditës së djeshme. Në Shkodër, gjatë 24 orëve të fundit kanë vijuar reshjet e shiut në të gjithë territorin, ku konkretisht nga DRUK informohemi se janë konstatuar probleme në sistemin e kullimit dhe mbrojtjes nga vërshimi lumenjve.

Nga bashkia Vau Dejës informohemi se në NjA Vig Mnele ka bllokim të disa rrugëve nga prurjet e lumit Gjadër. Në NjA Vau Dejës prurjet në përroin Glinë dhe Tamze kanë qenë më të ulëta pasi Bashkia në bashkëpunim me DRUK kanë bërë pastrimin e tyre në të gjithë gjatësinë. Nuk ka energji elektrike në NjA Vau Dejës dhe NjA Hajmel.

Nga  bashkia Fushë Arrës informohemi se si pasojë e reshjeve të shiut është dëmtuar një banesë në fshatin Dardhë të NjA Blerim, banesa e shtetasit Nikoll Pjetër Kola me dy anëtar. Po ashtu janë dëmtuar rrugët rurale në NjA Iballë dhe NjA Fierz.

Nga bashkia Malësi e Madhe informohemi se si rezultat i shirave të rëna gjatë natës ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike në NjA Shkrel, NjA Kastrat, NjA Kelmend.

Në rrugën e Dukagjinit ka patur rrëshqitje dherash e gurësh për të cilat do të punohet sot përmes një fadrome për largimin e tyre. Ndërkohë në Theth një natë më parë pati prurje të shumta të lumit të Shalës, por pa pasoja të rënda.

Ura që lidh fshatin Theth me Ndërlysaj nuk është dëmtuar nga reshjet, por firma që po punon për rrugën e re atje, ka ndërhyrë pasi do të bëjë rikonstruksionin e plotë të urës.

Problematika të tjera nuk raportohen, ndërsa Sektori EC në bashkëpunim me drejtuesit e institucioneve të nivelit vendor dhe drejtoritë përkatëse po monitorojmë situatën.