
Kundërshtimi ndaj projektit në Zvërnec vijoi edhe këtë të martë, duke hyrë në ditën e tretë radhazi të protestave. Qytetarë, aktivistë dhe banorë të zonës u mblodhën sërish me pankarta në duar për të kërkuar ndalimin e projektit, të cilin e konsiderojnë të dëmshëm për mjedisin dhe pasuritë natyrore të zonës.
Gjatë tubimit, protestuesit i bënë thirrje institucioneve shtetërore të dëgjojnë shqetësimet e komunitetit dhe të tërhiqen nga realizimi i projektit. Manifestimi u zhvillua në mënyrë paqësore, ndërsa organizatorët paralajmëruan se mobilizimi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim nëse kërkesat e tyre nuk marrin përgjigje.
Nga protesta nuk munguan as sloganet kundër qeverisë. Mes thirrjeve të dëgjuara në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ishin edhe “Poshtë spiunët”, “Edi Rama është tradhtar” dhe “Poshtë diktatura”.
Një nga pjesëmarrëset kërkoi dorëheqjen e qeverisë, ndërsa bëri thirrje për shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike dhe të ashtuquajturës “Paketa e Maleve”, duke i konsideruar ato si nisma që favorizojnë ndërhyrjet në zona me rëndësi të veçantë natyrore.




