Mbyllen zyrat e OASH-ve, nga sot ankimi për gjobat e rrugores online

Të gjobiturit për shkelje nga policia rrugore mund t’i paraqesin ankesat e tyre online, pa qenë nevoja për të pritur në radhë në zyrat e Komisionit të Shqyrtimit të Kundravajtjeve Administrative. Kjo do të mund të bëhet nëpërmjet portalit e-Albania.

Drejtuesit e mjeteve të cilët janë konstatuar duke kryer shkelje rrugore nuk do të duhet të paraqiten më në zyrat e policisë, por pretendimet e tyre dhe dokumentacionet do të mund ti dërgojnë pranë portalit E-Albania)

Prej kësaj të marte të gjitha zyrat e komisionit të shqyrtimit të kundravajtjeve administrative në kryeqytet dhe gjithë Shqipërinë nuk do të pranojnë më qytetarë fizikisht.

Procesi i ankimimit dhe shqyrtimit te gjobave tashmë do të kryhet online.

Qytetarët duhet të identifikohen në llogarinë e tyre, më pas duhet të përzgjedhin kategoritë me radhë.

Fillimisht duhet të zgjidhet kategoria transport dhe automjete, ndërsa më pas duhet klikuar tek nënkategoria kundravajtje rrugore OASH.

Koha e nevojshme e marrjes së shërbimit është 3 ditë, ndërsa periudha e vlefshmërisë është sipas afateve të përcaktuara në kodin rrugor.

Sipas Ministrisë së Brendshme, mbyllja e zyrave bëhet me qëllim shmangien e qytetarëve për tu paraqitur në to, për të shmangur të gjitha risqet e mundshme për infektim me koronavirus në një situatë të rëndëuar nga pandemia.

Lleshaj: Qëllimi i kësaj mase është që të eliminojmë detyrimin e qytetarëve për t’u paraqitur në zyra. Nga sot qytetarët, – ata që kanë bërë shkelje të rregullave të qarkullimit, – kanë të drejtën që të gjithë dokumentacionin që duan t’i paraqesin OASH-së, t’ia paraqesin online, përmes e-albania, dhe të kursejnë ardhjen, pritjen dhe humbjen e kohës pranë këtyre zyrave.Me këtë hap, ne, së pari bëjmë një shërbim për qytetarët, së dyti eliminojmë edhe një mundësi kontakti të drejtpërdrejtë të qytetarëve me komisionet përkatëse. Në mënyrë që të evitojmë të gjitha risqet e mundshme, që kanë gjasa të zhvillohen në këto situata.Lehtësimi i shërbimeve për qytetarët në të njëjtën kohë është edhe një lloj shtrëngese për ata që shkelin rregullat për arsye se tashmë mundësi e kontaktit bëhet zero. Pra, nuk kanë mundësi të ‘negociojnë’ me asnjë lloj Komisioni.Kështu që kjo thirrje le të vlejë për të gjithë qytetarët që të sensibilizohen për të shtuar kujdesin në qarkullim.

Me mbylljen e zyrave fizike të OASH-së, sipas Ministrisë nuk do të ketë më asnjë mundësi negocimi me anëtarët e Komisionit.