
Është publikuar fotoja e Ragip Gilës, autorit të masakrës së mëngjesit të së hënës, ku mbetën të vrarë dy persona dhe u plagosën dy të tjerë. Në imazhe ai shihet me skafander në kokë dhe armë në dorë, menjëherë pas krimit.
Viktimat janë identifikuar si Armando Pali dhe Liridon Kraja (i njohur si Lushi), ndërsa të plagosur mbetën Erogen Brajoviç dhe kamarierja 25-vjeçare, Meri Kaceri, e cila fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.
Autori 29-vjeçar u arrestua teksa përpiqej të arratisej dhe gjatë marrjes në pyetje ka pohuar se objektivi i tij ishte Erogen Brajoviç. Pali, që ndodhej me të në tavolinë, humbi jetën në vend, ndërsa Kraja u shua në spital.
Pasi doli se shënjestra ishte vëllai i Denis Bajrit, i ekstraduar këtë verë nga Dubai për llogari të çështjeve të lidhura me Ervis Martinajn, organet hetimore po verifikojnë pistën e një përplasjeje mes grupeve kriminale në Shkodër. Për këtë arsye, policia ka kryer kontrolle në disa banesa në zonat periferike të qytetit.

Në foto Ragip Gila




