Kur Zhvillimi Humbet Busullën: HEC Bushat, Kina dhe një Paradoks Moral…

Shpërndaje

Nga Fatlum Nurja

Kur Zhvillimi Humbet Busullën: HEC Bushat, Kina dhe një Paradoks Moral

Në fillim të viteve 2000, Shqipëria u gjend përballë një kontradikte të thellë politike dhe morale: nga njëra anë, vendi ishte përfitues i qindra milionë eurove dhe dollarëve në grante dhe kredi të buta nga Bashkimi Evropian dhe institucionet financiare ndërkombëtare; nga ana tjetër, po hapej rruga për investime infrastrukturore nga Kina, pa debat publik, pa transparencë dhe pa një analizë serioze strategjike.

Rasti i HEC Bushat mbetet ilustrimi më i qartë i kësaj mospërputhjeje.

Në mars 2002, në një takim me Mr. Christian Poortman, përfaqësues i lartë i Bankës Botërore, u diskutuan drejtpërdrejt çështjet e infrastrukturës energjitike në Shqipëri, përfshirë edhe opinioni kritik për projektin e HEC Bushat. Qasja e Bankës Botërore ishte e qartë: zhvillimi energjitik duhet të respektojë standardet mjedisore, kapacitetet institucionale dhe rolin e qeverisjes vendore.

Më 8 qershor 2002, në një takim zyrtar me Ambasadorin e Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, z. Tian Changchun, u diskutua po i njëjti projekt. Në cilësinë time si Zv. Kryetar i Bashkisë Shkodër, shpreha hapur kundërshtimin ndaj ndërtimit të HEC Bushat. Jo për arsye ideologjike, por sepse projekti po shtyhej pa konsultim real me qeverisjen vendore, pa një vlerësim të besueshëm mjedisor dhe në kundërshtim me parimet që vetë shteti shqiptar kishte ratifikuar.

Shqipëria, si republikë parlamentare, kishte ratifikuar Deklaratën e Rios për Zhvillimin e Qëndrueshëm dhe Protokollin e Kiotos, duke pranuar standarde të qarta mbi mjedisin, pjesëmarrjen publike dhe përgjegjësinë institucionale. Ndërkohë, në nivel ekzekutiv, ishte firmosur një Memorandum Mirëkuptimi me Kinën, jashtë një debati parlamentar dhe pa harmonizim me këto angazhime.

Por përtej aspektit ligjor, ekzistonte edhe një problem moral dhe strategjik. Shqipëria po përfitonte mbështetje masive nga BE-ja pikërisht për të ndërtuar standarde evropiane të qeverisjes, teknologjisë dhe mbrojtjes së mjedisit. Në këtë kontekst, hapja e derës për investime kineze në sektorë kritikë, si energjia, ishte e pakuptimtë.

Në praktikë, qeverisja vendore u trajtua si pengesë dhe jo si partner institucional. Territori u konsiderua thjesht si hapësirë teknike për projekte të gatshme, jo si komunitet me të drejta. Ky mentalitet është burimi i shumë konflikteve mjedisore dhe sociale që vazhdojnë edhe sot.

Kundërshtimi i HEC Bushat në vitin 2002 ishte një akt institucional në një kohë kur qeverisja vendore kishte pak zë dhe pak mbrojtje. Por ishte i domosdoshëm. Sepse zhvillimi që injoron ligjin, standardet dhe komunitetin nuk është zhvillim – është kompromis afatshkurtër me pasoja afatgjata.

Shpërndaje