“Kulla e Dorëzimit”: Fillimi i betonizimit dhe humbjes së identitetit të Shkodrës…

Shpërndaje

Nga Ted Kopliku:

Kulla e dorëzimit.

Kur kandidoi Benet Beci për Shkodrën, shqetësimin më të madh kam parë e artikuluar mentalitetin e negociatorit të dorëzimit që perdori në fushatë. “Ose na e jepni bashkinë ne, ose s’ka fonde më shumë se Leskoviku”. Kjo propagandë përhapej në çdo tavolinë deri sa u rrënjos me idenë : « t’i provojmë këta një herë », « të pakten na sjellin fonde në qytet » dhe gjithë derivatet që burojnë nga kjo logjikë dorëzimi.

E thoja shpesh që është më e rëndësishme demokracia se sa dy tre trotuare më shumë. Bashkia pa shumë kompetenca që gjoja ka drejtuar PD, në 12 vitet e fundit kishte fuqinë me nxjerr ndonjë çertifikatë dhe me ly vizat e bardha. Kishte dhe një kompetencë: atë të lejimit ose jo të betonizimit.

Në 35 vite Shkodra është ruajtur si pak qytete. Ndër vite u bënë, brenda mundësive, investime që e transformuan atë, sidomos nga 2005-2013. Nga nëntoka deri tek impianti i pastrimit të ujrave, duke e bërë Velipojën detin më të pastër në Shqipëri, dhe Shkodrën qytet që akoma meriton të quhet i tillë. Bashkia arriti ta ruante identitetin e kryeqendrës së Veriut. Ndryshe nga Tirana, Vlora, Durrësi qyteti u shpëtua nga betonizimi, por si gjithmonë dështuam ta marketojmë, siç bën kampi tjetër edhe kur e mbjell një pemë dy herë.

Marrja e Bashkisë nga Partia Socialiste ishte akti i fundit i zhveshjes së qytetit nga identiteti. Pasi ju hoqën të gjitha institucionet e rëndësishme, tashmë firmëtarët e denigrimit të qytetit, po lejojnë në kundërshtim me të gjitha rregullat, ngritjen e një kulle që simbolizon fillimin e betonizimit dhe unifikimit me qytetet e tjera, që nuk vlejnë më të quhen të tillë.

Rreth 100 000 m2 ndërtim priten në gjithë Shkodrën, në një kohë që është qyteti që braktiset më shumë se të gjithë qytetet e tjera. Vitet e fundit 35% e kanë braktisur. Asnjë lidhje mes ndërtimit dhe zhvillimit. Krejtësisht mungesë vizioni edhe sikur të ishte qëllimi zhvillimi e jo pastrimi i parave dhe shkatërrimi i identitetit. Zona industriale, Dobraçi, fushat në Shtoj e Golem do ishin një hapësirë e pafundme për zhvillimin e qytetit modern. Kulla në qendrën historike është dorëzimi i qytetit dalëngadalë në harresë dhe beton.

Ndërkohë që gjithë qytetet e zhvilluara në botë ruajnë identitetin e këtyre zonave, ne po e varrosim edhe pse qyteti i ka shpëtuar çmendurisë urbane të qyteteve të tjera.

Asnje infrastrukturë nuk lejon ngritjen e një përbindshi të tillë aty e megjithatë kjo po ndodh, sepse qyteti është dorëzuar. Kulla do jetë provë e këtij dorëzimi në emër të disa fasadave dhe shembje kaçorresh që po pasqyrohen si transformim.

Qyteti jonë ka shpirt dhe ky shpirt po burgoset në hekur dhe beton. Ky përbindësh nuk ja shton lavdinë qytetit por i merr frymën, duke mbytur kujtesën pas hapjes së kutisë prej betoni të Pandorës, siç ka ndodhur me të gjithë qytetet e tjera të Shqipërisë.

Shpërndaje