Kraja detaje për operacionin: Dhunë e egër nga grupet kriminale, paguanin shuma të mëdha parash për vrasjen e kundërshtarëve

Pasditen e së enjtes SPAK dhe Policia e Shtetit ka dhënë detaje rreth zhvillimit të operacionit të koduar policor “Golden bullet”.

Në konferencën për mediat, kreu i SPAK, Arben Kraja dhe ai i Policisë së Shtetit Gledis Nano bënë të ditur se operacioni është në vijim ndërsa u bë e ditur se janë prerë urdhër arreste për 32 persona dhe janë dhënë urdhrat për kryerjen e kontrolleve në 28 banesa, të lëshuara nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Kraja bëri të ditur se SPAK ka goditur 8 grupe kriminale në Tiranë, Durrës dhe Elbasan. Sipas tij, 4 grupe janë në Elbasan, 2 në Tiranë dhe 2 në Durrës. Këto grupe kriminale, rezulton nga hetimet se paguanin vrasës me pagesë për të eliminuar kundërshtarët. Këto grupe i karakterizon dhuna e egër në krimet e bëra.

Operacioni, bëri të ditur drejtori i Policisë se Shtetit Gledis Nano, u shtri në disa qarqe, në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Lezhë dhe në të u përfshinë forcat speciale RENEA, FNSH, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtoria Kundër Krimeve ndaj Personit e Pasurisë, Drejtoria Hetimore, si dhe Drejtoritë Vendore të qarqeve që përmenda.

Ndërkohë, deri më tani janë ekzekutuar gjithsej 18 masa sigurie, nga këto 9 persona u kapën gjatë operacionit, ndërsa për 9 të tjerët, masat e sigurisë u ekzekutuan në disa IEVP, sepse këta shtetas janë arrestuar më parë, për vepra të ndryshme penale.

Gjatë operacionit, si rezultat i kontrollit të banesave dhe hoteleve janë sekuestruar 3 armë zjarri (konkretisht 2 kallashnikovë dhe 1 pistoletë), 2 antiplumb si ato që përdor Policia e Shtetit, municion luftarak, rreth 17 mijë euro, aparate celulare, fatura bankare, automjete dhe sende të tjera të përfituara nga veprimtaria kriminale.

Duke qenë se mes personave për të cilët janë ekzekutuar masa sigurie ka edhe punonjës të policisë, NANO tha se mbetet i vendosur për të pastruar nga radhët e Policisë së Shtetit ata punonjës policie që shpërdorojnë detyrën ?apo më keq akoma bëhen palë me krimin, si dhe inkurajoj agjencitë ligjzbatuese që të hetojnë çdo rast të përfshirjes së punonjësve të Policisë, në veprimtari të kundërligjshme.?

Personat, për të cilët është ekzekutuar urdhri i GJKKO-së:

Nuredin Dumani

Henrik Hoxha,

Ardian Uzuni

Altin Ndoci

Skerdi Tasi

Leonard Palushi

Fatos Gosa

Erion Alibej

Gentjan Sharra

Florenc Cekrezi

Elvis Koci

Ilirjan Feci

Petrit Qoli

Agron Qoli

Agron Qafa

Artan Plaka

Besjan Xhixha

Leonard Palushi është shefi i Krimeve në Policinë e Lezhës. Ai akuzohet për shpërdorim detyre.