Koronavirusi në Shqipëri, Rama: Nga e hëna gjithçka e hapur, veç transportit publik

Në një komunikim në “Facebook”, kryeministri Rama u shpreh se në këtë fazë të hapjes së vendit duhet të bëjmë shumë kujdes, pasi nëse numrat do të lëvizin do të jetë shumë problem.

“Duhet të flasim qartë mbi një moment që është jashtëzakonisht delikat kur po hapemi dhe po ekspozohemi natyrshëm çdo ditë e më shumë rrezikut të infektimit. Siç e ke parë, edhe ministrja e Shëndetësisë u detyrua të dalë në konferencën e përditshme, pikërisht për të lëshuar një mesazh të shkurtër dhe të qartë se, numrat po lëvizin. Lëvizja e numrave, nëse do të vazhdojë të jetë kështu, atëherë do të jetë një problem. Dua ta përsëris që në këtë situatë, secili prej nesh është vendimtar. Sjellja në raport me rregullat është decizive sepse në raport me hapjen nuk është një çështje ekskluzive e policisë apo autoriteteve, por është më shumë çështje e vetëdijes”, u shpreh Rama.

Më tej, Rama theksoi se nga e hëna, nuk do të kemi asgjë tjetër të mbyllur veç transportit publik, aktiviteteve sportive dhe atyre kulturore, por kërkoi kujdes.