Koronavirus/Mjeku tregon se kur duhet të shqetësoheni: temperaturë, kollë

Koronavirusi dhe gjithë historiku i tij është shoqëruar me stres dhe panik tek qytetarët, ndërsa rastet kanë ardhur duke u përhapur tashmë në të gjithë globin.

Ndërsa vendet e rajonit, përfshirë edhe Maqedoninë kanë identifikuar rastet e para, duket se Shqipëria pavarësisht dyshimeve, nuk ka regjistruar ende asnjë rast të prekur. Megjithatë mjeket e ftuar në emisionin “Opinion” kanë deklaruar se shqetësimi mes qytetarëe është prezent. Drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj, tha se aktualisht në numrin 127 regjistrohen rreth 1500 telefonata çdo ditë. “Marrin në telefon dhe duan të bëjnë analizën për siguri”, tha Brataj duke shtuar se njerëzit duhet të dinë, që nëse nuk kanë simptoma, virusi nuk del në analizë.

Nga ana tjetër mjeku infeksionit Pëllumb Pipero, kërkoi të shpjegojë se qytetarët nuk duhet të shqetësohen nëse nuk kanë simptoma.

“Nëse nuk kanë udhëtuar në vende me nivele të larta të prekjes nga koronavirusi, nuk kanë patur kontakt me një person të konfirmuar dhe nuk ka shenja klinike, sidomos temperaturë, kollë dhe vështirësi në frymëarrje, nuk duhet të jetë i shqetësuar”, tha Pipero duke kujtuar përvojën e Italisë, ku në 10 mijë tamponë të analizuar vetëm 10 përqind e tyre rezultuan të prekur.

Në Shqipëri janë analizuar deri tani rreth 50 raste, të gjithë të raportuar negativë./Opinion.al