
Një sulm i armatosur tronditi plazhin Bondi Beach në Sydney, gjatë festimeve të Hanukahut, ku humbën jetën të paktën 12 persona. Dy persona hapën zjarr mbi turmën, duke shkaktuar panik dhe kaos.
Vendimtar ishte reagimi i qytetarit Ahmed Al Ahmed, 43 vjeç, i cili u fsheh pas një makine dhe më pas, me guxim të jashtëzakonshëm, neutralizoi njërin prej sulmuesve. Ai e çarmatosi autorin dhe njoftoi policinë, edhe pse ishte plagosur nga dy të shtëna. Videoja e momentit u bë virale në mbarë botën.
Dëshmitarët thanë se fillimisht menduan se bëhej fjalë për fishekzjarre, por shumë shpejt situata u kthye në terror. Forcat e policisë ndërhynë dhe arrestuan njërin nga sulmuesit, ndërsa kërkimet për tjetrin vijojnë.




