Izraeli miraton ligjin për dënim me vdekje ndaj autorëve të sulmeve të 7 tetorit…

Shpërndaje

Parlamenti i Izraelit ka miratuar një ligj të ri që parashikon dënimin me vdekje dhe zhvillimin e gjyqeve publike për personat e akuzuar për përfshirje në sulmet e 7 tetorit 2023 dhe rrëmbimet masive të pengjeve nga Hamasi. Projektligji u votua me 93 vota pro dhe asnjë kundër, duke marrë mbështetje si nga mazhoranca, ashtu edhe nga opozita.

Një nga sponsoret e nismës, deputetja Yulia Malinovsky, deklaroi para votimit se familjet e viktimave duhet të kenë mundësinë të përballen publikisht me autorët e akteve të dhunshme.

Ndërkohë, organizatat izraelite për të drejtat e njeriut kanë reaguar kundër këtij ligji, duke kundërshtuar rikthimin e dënimit me vdekje dhe duke ngritur shqetësime mbi pasojat juridike dhe morale të tij.

Sulmet e 7 tetorit 2023 konsiderohen ndër më tragjiket në historinë e Izraelit. Sipas raportimeve, nga sulmet e kryera nga luftëtarë të Hamasit në jug të vendit humbën jetën mbi 1,200 persona, kryesisht civilë, ndërsa 251 të tjerë u morën peng dhe u dërguan në Gaza.

Pas këtyre ngjarjeve shpërtheu lufta në Gaza, e cila ka shkaktuar mijëra viktima. Raportohet se deri tani kanë humbur jetën mbi 72 mijë persona, shumica gra, fëmijë dhe të moshuar.

Megjithëse Izraeli kishte miratuar më herët Ligjin për Dënimin me Vdekje për Terrorizëm, ai nuk kishte fuqi prapavepruese. Për këtë arsye u kërkua një ligj i veçantë që të zbatohet për personat e dyshuar për sulmet e tetorit 2023.

Shpërndaje