Izraeli do të kufizojë qasjen në Al-Aksa gjatë Ramazanit, meshkujt palestinezë nga 12 deri në 55 vjeç janë ndaluar të hyjnë në xhami…

Izraeli ka vendosur kufizime për burrat palestinezë nga Bregu Perëndimor që të hyjnë në xhaminë Al-Aksa për lutjet e së premtes gjatë muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit.

Kështu, siç raportojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, burrave palestinezë nga mosha 12 deri në 55 vjeç u është ndaluar hyrja në xhami.

Njësia e Koordinimit të Aktiviteteve Qeveritare në Territoret Palestineze (COGAT), e cila është e lidhur me ushtrinë izraelite, tha se ishin përcaktuar kushtet për lutjet e palestinezëve në xhaminë Al-Aksa gjatë Ramazanit.

Si rrjedhojë, gratë palestineze që jetojnë në Bregun Perëndimor të pushtuar, fëmijët nën moshën 12 vjeç dhe burrat palestinezë mbi moshën 55 vjeç mund të shkojnë në Jerusalemin Lindor pa leje për t’u falur në xhaminë Al-Aksa të premtes.

Ndërsa burrat palestinezë ndërmjet moshës 45 dhe 55 vjeç kërkojnë leje të posaçme për të shkuar në xhami për t’u falur.

Ndërkohë, një numër i paspecifikuar i grave të moshës 50 vjeç e lart dhe i burrave mbi 55 vjeç që jetojnë në Rripin e Gazës do të lejohen të vizitojnë Jerusalemin midis të dielës dhe të enjtes.

Zyrtarët nga Izraeli dhe Palestina u takuan në Egjipt të dielën për bisedime që synojnë qetësimin e dhunës në rritje që ka ngjallur frikën e përshkallëzimit të mëtejshëm gjatë Ramazanit.