Investimi 10 mln euro i impiantit fotovoltaik pengohet nga bashkia, do furnizonte me energji gjithë Malsinë e Madhe…

0
798

Ky projekt është miratuar që në vitin 2016 nga Këshilli Kombëtar i Territorit me kryetar Edi Ramën, por akoma nuk ka nisur ndërtimi. Pengesë për nisjen e investimit është bërë pushteti vendor pasi i kërkoi investitorit një taksë shumë herë më të lartë seç e përcaktonte ligji.

Në kohën kur qeveria shprehet për krizë energjitike, njëkohësisht refuzon ndërtimin e një impianti që do furnizonte me energji gjithë Bashkinë e Malsisë së Madhe.

Shoqëritë Malsia Solar 1,2, dhe 3 fituan të drejtën e ndërtimit të një impianti të tillë në vitin 2016 me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit.

Kjo leje do zbardhej me pagesën e taksës së infrastrukturës në bashki, kjo e fundit kërkoi më shumë seç i njihte ligji.

Kjo solli edhe pengesën për pagesën në kohë dhe njëkohësisht nisjen e ndërtimit brenda afateve.

Përfaqësuesja e kompanisë Solar 1. 2 dhe 3, Marsela Mojsija ankohet në emisionin Fiks Fare, se nuk po i ri jepet leja për ndërtimin e impiantit fotovoltaik dhe pse e ka fituar këtë drejtë me gjykatë.

Ajo tregon se në 2016 e fituan këtë projekt dhe u miratua dhe nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Pas këtij momenti duhej paguar taksa e infrastrukturës në bashki në mënyrë që të zbardhej leja, por Bashkia Malësi e Madhe i kërkoi jo 0.1 përqind të vlerës së ndërtimit, por plot 3 përqind.

Sipas Marselës në këtë moment kompania nuk ra dakord, pasi vlera e kërkuar ishte në kundërshtim me ligjin. Dhe kjo problematikë zgjati 1 vit e gjysmë,në fund bashkia bie dakord të presë fatura për 0.1 përqind të vlerës së ndërtimit.

“Kompania i pagoi por tashmë i kishin kaluar afatet e ndërtimit çka bëri që t’i drejtohej gjykatës,  ku  u vendos shfuqizimi i anulimit të ndërtimit, por ky vendim nuk po zbatohet” thotë znj.Moisija

Ajo tregon për Fiks Fare se investitorët janë bullgarë dhe ata vazhdojnë paguajnë gjithë detyrimet që nga lidhja e kontratës me komunën e vitit 2013.

“Vlera e këtij investimi shkon në 10 milion euro , një investim që punëson 100 persona, dhe furnizon me energji gjithë Malësinë e Madhe” thotë përfaqësuesja.

Por përveç kësaj problematike, vitet e fundit bashkia i ka ndryshuar kompanisë edhe vlerën e qirasë, të cilën në kontratën e lidhur me komunën e asaj kohe, e miratuar nga këshilli i komunës vlera ishte 1 milion e 900 mijë lekë të vjetra për 15 ha tokë, ndërkohë tani bashkia i kërkon 21 milion  lekë të vjetra në vit .

Pra bashkia i ka 20-të fishuar qiranë. Deri në këto momente, taksa dhe qira kjo kompani ka paguar në bashki 23 milionë lekë.

Për ngatërresën e taksës punonjësja  aktuale e tatim taksave në bashki thotë se nuk ka qenë në ato vite, por taksa që i duhej kërkuar kompanisë është 0.1 përqind e vlerës së investimit, taksë e cila aktualisht është e paguar.

Edhe punonjësja konfirmon atë që tha përfaqësuesja e kompanisë që bashkisë i është dashur 1 vit e gjysmë që të vendosi për vlerën e taksës nga 3 përqind në 0.1 përqind.

Ndërkohë për ndryshimin e vlerës së qirasë gazetarëve të Fiksit u përgjigjet juristi i bashkisë i cili nxjerr gabim komunën që e dha aq lirë pronën dhe sipas tij këtë gabim e ka kapur edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit. Ndaj sot kompania duhet të paguaj 21 milion lekë në vit qira dhe jo 1 milion e 900 mijë lekë.

PËRGJIGJU